Batatina: Jemi të kompletuar, shkojmë për rezultat pozitiv në ‘Fadil Vokrri’

Në këtë fundjavë po zhvillohet xhiro e 23-të e Superligës së Kosovës në futboll.

Nesër (e shtune) të besuarit e Tahir Batatinës, do të udhëtojnë në kryeqytet ku do të jenë mysafir te Prishtinës, skuadër kjo që nuk di për humbje që 16-të ndeshje.

Kryetrajneri i Llapit, Tahir Batatina në një intervistë dhënë për Gazeta “Sheshi”, ka potencuar se është një ndeshje shumë e vështirë, por që nuk do të udhëtojnë duarkryq pasi do të mundohen të dalin me rezultat pozitiv nga “Fadil Vokrri”.

“Ndeshje shumë e vështirë, ballafaqohemi me një skuadër që është në formën më të mirë në Superligë, por nuk duhet harruar se edhe ne jemi në pozitën e dytë me formën më të mirë në pesë xhirot e fundit. Do të luajmë si skuadër për të zhvilluar një ndeshje të mirë dhe do të mundohemi që të dalim nga “Fadil Vokrri” me rezultat pozitiv”, deklaroj fillimisht Batatina, duke vazhduar:

“Në këtë ndeshje do të jemi të kompletuar, vetëm portieri Marijan Çoric i cili nga na mungon, por në portë e kemi rikthyer Giacamo Navan”.

Qëndrim Zyba në një intervistë dhënë për faqen zyrtare të Prishtinës, ka deklaruar se ndaj Llapit i duan vetëm tre pikët. Ndërsa, Batatina mesfushorin e ka vlerësuar për cilësi të jashtëzakonshme dhe shpreson edhe nesër të jetë i shkëlqyer

“Zyba është një super lojtarë dhe ka cilësi të jashtëzakonshme. Shpresojë edhe nesër të jetë ashtu i shkëlqyer”, përfundoi trajneri llapjan.

Prishtina – Llapi, do të zhvillohet nesër (e shtune) më fillim nga ora 13:00 në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kryeqytet.