Batatina tregon arsyen e humbjes nga Drita

Llapi u mposht nga Drita në shtëpi me rezultat 2-4. 

Ky ishte një tjetër rezultat negativ për Llapin në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, stadium ky që para disa javësh ishte vlerësuar si “Banja e Lluzhanit” nga trajneri i kësaj skuadre , Tahir Batatina.

Ai madje kishte thënë se asnjë skuadër nuk do të mund të marrë pikë në këtë stadium.

Pas ndeshjes trajneri i Llapit, Tahir Batatina tha se në këtë takim ndikoi lodhja nga ndeshja me Prishtinën.

“Mendoj se kemi parë një Llap krejt tjetër në pjesën e parë, kemi shënuar dy gola dhe si skuadër e kemi rrezikuar  Dritën. E dija që do të ishte e vështirë, por ne ishim të lodhur nga ndeshja me Prishtinën. E kuptoj rëndësinë e ndeshjes, skuadra si Prishtina, Ballkani, Drita dhe Llapi kur japin maksimumin në një ndeshje, kanë probleme në ndeshjen tjetër. Ky është futbolli, duhet të mendojmë për lojërat e radhës”, tha Batatina pas ndeshjes.