Batatina, trajneri i vetëm i mbijetuar

Prej gati dy vitesh Arbnor Morina ishte trajner i Besës së Pejës. Skuadrën stabile të Superligës së Kosovës në futboll, Morina e ka udhëhequr prej fundit të gushtit të vitit 2014 e deri të enjten mbrëma.

Është kjo një periudhë e gjatë bazuar në rrethanat kosovare. Gjithnjë e më rrallë trajnerët kosovarë ia dalin të kompletojnë një edicion tek e njëjta skuadër. Rastet kur skuadrat i ndërrojnë nga dy, tre e në raste edhe më shumë trajnerë, brenda një edicioni, po bëhen gjithnjë e më të shpeshta, shkruan sot Koha Ditore.

Morina deri të enjten ishte një prej dy trajnerëve të klubeve të Superligës që ishte në funksion prej fillimit të edicionit aktual, 2015-16.

Tashmë i vetmi ka mbetur trajneri i Llapit, Tahir Batatina. Llapi këtë edicion është kthyer në Superligë pas një kohe të gjatë, ndërsa aktualisht mban pozitën e katërt me 37 pikë, 10 më pak se Ferronikeli që prin.