Batatina për shortin e Kupës së Kosovës: Short i vështirë, ndeshja ndaj Prishtinës nuk është asnjëherë e lehtë

Sot është hedhur shorti i Kupës së Kosovës.

Në këtë short u mësuan dy çiftet gjysmëfinaliste, shkruan GazetaBlic Sport.

Vëmendja kryesore padyshim që është në derbin mes Llapit dhe Prishtinës, ku shorti përcaktoi që fituesi aktual i Kupës së Kosovës, të përballet me kampionin në fuqi të Superligës së Kosovës.

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina ka folur në lidhje me shortin e sotëm ku Prishtinën e ka konsideruar si një kundërshtar tejet të vështirë.

“Ky është short shumë i vështirë, pasi Prishtina është kundërshtar aspak i lehtë, pa marrë parasysh pozitën tabelare është kampion aktual, kështuqë ndeshen dy skuadra që njëra është kampion në fuqi i Kosovës dhe fituesi i Kupës së Kosovës, kjo përballje do të prodhojë ndeshje shumë të mira”, tha fillimisht Batatina.

I pyetur për përvojën e Llapit në Kupën e Kosovës, Batatina shprehet se çdo trofe është një eksperiencë e mirë për skuadrat që fitojnë.

“Çdo trofe i fituar të mëson, kështu që fakti që e kemi fituar Kupën e Kosovës paraprakisht na ndihmon shumë, mendojë që kjo është një përparsi e lehtë, por në futboll asnjëherë nuk ka përparësi, ka lojë, ka angazhim, ndeshja mes Prishtinës dhe Llapit çdoherë është derbi si në kampionat ashtu edhe në gara tjera”, shtoi trajneri i Llapit.

Batatina konsideron që ndeshja kthyese në ‘Zahir Pajaziti’ do të jetë një plus i lehtë për Llapin duke shtuar se stadiumin i tyre nuk është asnjëherë i lehtë për të fituar, sidomos pas investimeve të fundit në stadium.

“Fakti që ndeshja kthyese luhet në ‘Zahir Pajaziti’ na bën diçka më komod, duke e ditë që stadiumi ynë nuk është i lehtë për skuadrat kundërshtare, sidomos tash me infrastrukturën e re, kjo është një përparësi e lehtë, por ne do ta bëjmë maksimumin në këtë ndeshje, Prishtina është Prishtinë, është kampion aktual kështu që duhet respektuar”, përfundoi Tahir Batatina.

Ndeshja e parë mes Prishtinës dhe Llapit do të luhet me 7 prill në kryeqytet, kurse me 13 prill do të përcaktohet finalisti në “Zahir Pajaziti” të Podujevës, kur skuadrat luajnë ndeshjen e kthimit.

Darell Davis, më i miri i ndeshjeve të para çerekfinale

Aguero i lë të gjithë pa fjalë, gati të marrë vendimin e papritur