Ballkani ka shënuar fitore të rëndësishme në xhiron e 23-të të Superligës së Kosovës në futboll.
Suharekasit mposhtën Llapin në derbin e javës, me rezultat minimal 1-0, me golin e vetëm të shënuar nga Ermal Krasniqi (73′), shkruan Gazeta Olle.
Pas ndeshjes, kryetrajneri i Llapit, Tahir Batatina, tha se nuk e kishin merituar humbjen dhe se golin e pranuar ia dhuruan vet ata skuadrës së Ballkanit.
“Ne s’kemi qenë sot në ditën tonë, Ballkani krijoi golin që ne ia krijuam vet. Vështirë është me u bo kampion pa asnjë aksion, asnjë goditjë në portë. Kampionati është i gjatë, dhe është larg për t’u vendos diçka. Mendoj që s’e merituam humbjen sot. Ballkani vetëm futboll s’ bëri sot. Nuk shënuam gola por e kemi sulmin më të mirë në superligë”, tha Batatina.
Ballkani me këtë fitore mbetet lider në elitën e futbollit kosovar, me 48 pikë të mbledhura. Llapi, në anën tjetër, ka 39 pikë dhe mbetet në pozitën e katërt në tabelë. /Gazeta Olle/