Komisioni i Garave i Superligës, Ligës së Parë dhe Superligës U21, në mbledhjen e mbajtur me 03.09.2024, ka diskutuar për regjistrimin e ndeshjeve të zhvilluara të xhiros së katërt të Albi Mall Superligës dhe xhiros së tretë të Raiffeisen Ligës së Parë Grupi A dhe B në futboll për edicionin 2024/2025. Pas shqyrtimit komplet të materialit të siguruar nga zyrtarët e ndeshjeve, bazuar në nenin 70 të Rregullores së Garave, si dhe dispozitave të Rregullores Disiplinore, mori këto:
V E N D I M E
1.Regjistrohen ndeshjet e zhvilluara të xhiros së katërt të Albi Mall Superligës dhe xhiros së tretë të Raiffeisen Ligës së Parë Grupi A dhe B në futboll për edicionin 2024/2025 me rezultatet e arritura në fushë.
2.Bazuar në raportet e delegatëve, kontrollorëve, zyrtarëve të FFK-së si dhe të dhënat nga protokollet zyrtare të ndeshjeve, lidhur me rregullsinë e fillimit, zhvillimit dhe përfundimit të ndeshjeve, Komisioni i Garave pas administrimit të të gjitha materialeve dhe shkresave të prezantuara, incizimeve televizive, raporteve të personave zyrtarë të FFK-së si dhe mediave vendosi për:
Inicime disiplinore;
Ndaj: FC “Prishtina“. Motivi: Lëshim në organizim të ndeshjes Prishtina –Llapi. Pas përfundimit të pjesës së parë të ndeshjes Prishtina-Llapi ekonomi i KF Llapi”, Besart Hoti nr ID 020190M96 ka kaluar rrethojat e stadiumit futet në fushën e lojës në drejtim të gjyqtarëve ofendon dhe kërcënon, për çka ndëshkohet me karton të kuq direkt edhe pse nuk ishte i evidentuar në protokolin zyrtar të ndeshjes. Po ashtu gjatë gjithë ndeshjes lejohen disa persona të qëndrojnë prapa bankinës mysafire të cilët ofendojnë dhe pengojnë në kryerjen e detyrës kreytrajnerin e ekipit mysafir. Në min 3 dhe 65 shikuesit vendas “Plisat“, hedhin mjete piroteknike brenda rrethojave të fushës. Sipas raportit të zyrtarëve të ndeshjes dhe xhirimit televiziv në ndeshjen Prishtina -Llapi.
Ndaj kryetrajnerit të KF ”Llapi”, Tahir Batatina nr ID 01144M77. Motivi: Pas përfundimit të ndeshjes është vërsulur disa herë në drejtimin të gjyqtarit kryesor dhe të kolegëve të tij në mesin e fushës, duke përdorur gjuhë vulgare ofenduese dhe kërcënuese, pastaj duke shkuar në drejtim të bankinës bie në provokimin e shikuesve të cilëve ju tregon gishtin e mesit të dorës, i fyen shikuesit e pranishëm duke provokuar një eskalim të mundshëm të masës. Për këto sjellje jo sportive dhe vullgare ndëshkohet me karton të kuq direkt. I njëjti pas ndëshkimit ka tentuar ta sulmojë fizikisht gjyqtarin kryesor por falë intervenimit të policisë është evituar sulmi. Po ashtu edhe në tunelin e stadiumit dukshëm i frustruar ka tentuar ta sulmojë fizikisht gjyqtarin por sërish është penguar nga policia. Sipas raportit të gjyqtarit kryesor të ndeshjes, Genc Nuza dhe xhirimit televiziv në ndeshjen Prishtina – Llapi.
Ndaj: KF “Llapi“. Motivi: Pas përfundimit të ndeshjes lëshon komunikatë për media, përmes së cilës akuzon gjyqtarin kryesor Genc Nuza, e ofendon dhe kërcënon të njëjtin se nuk do t’i ofrojnë siguri nëse delegohet në ndeshjet kur KF “Llapi“ i zhvillon ndeshjet në Podujevë.
Ndaj: KF” Feronikeli 74“. Motivi: Lëshim në organizim të ndeshjes Feronikeli – Dukagjini. Prej fillimit të ndeshjes tifo grupi vendas “Tigrat e zi”, në tribuna ndezin mjete piroteknike disa nga të cilat i hedhin në fushën e lojës. Kulmin e arritin në min 28 të ndeshjes ku hidhet një shishe qelqi në fushë, një copë nga e cila godet portierin vendas dhe e lëndon me këtë rast ju dha ndihma mjekësore nga stafi ekipit. Përfaqësuesit zyrtar të KF “Feronikeli 74” bashkë me disa zyrtar shkojnë për t’i qetësuar tifozët mirëpo hasin në rezistencë, fillojnë verbalisht e pastaj edhe konfrontimet fizike ku dy – tre simpatizues tentojnë t’i kalojnë rrethojat dhe të futen në fushë. Si pasojë e gjithë kësaj gjyqtari kërkon zbrazjen e tribunës për çka ndeshja ndërpritet për 12 minuta. Sipas raportit të delegatit dhe xhirimit televiziv të ndeshjes Feronikeli 74 – Dukagjini.
Ndaj: Trajnerit të portierëve të KF “Feronikeli 74”, Avni Hasani nr ID 008662M74. Motivi: Në min 28 pas konfrontimit verbal dhe fizik me tifo grupin “Tigrat e zi” ndëshkohet me karton të kuq direkt. Sipas raportit të gjyqtarit kryesor të ndeshjes Feronikeli 74-Dukagjini.
Ndaj: Lojtarit të SC “Gjilani“, Oltion Bilalli nr fanelle 7 dhe nr ID 004865M02. Pas përfundimit të ndeshjes Suhareka 23 – Gjilani i pakënaqur me rezultat ka shkelmuar dhe dëmtuar derën e zhveshtores. Sipas raportit të delegatit të ndeshjes dhe xhirimit të kamerave të sigurisë së stadiumit në ndeshjen Suhareka 23 – Gjilani.
Ndaj: Lojtarit të KF “ Liria”, Fluturim Domi nr fanelle 77 dhe nr ID 037242M 00.Motivi: Në ndeshjen e Trepça’89-Liria në min 90+ ndëshkohet me karton të kuq direkt pas ndërhyrjes së rrezikshëm në lojtarin kundërshtar. Sipas raportit të gjyqtarit kryesor të ndeshjes Trepça’89-Liria.
Ndaj: trajnerit të KF “Vjosa“, Meriton Baftiu nr ID 015429M95. Motivi: Në pjesën e parë të ndeshjes Vjosa-2 Korriku, ndëshkohet me karton të kuq direkt pasi që ofendoi gjyqtarin e katërt. Pas përfundimit të ndeshjes nga tribunat i njëjti fyen gjyqtarin kryesor me fjalë shumë të ulta. Sipas raportit të gjyqtarit kryesor të ndeshjes Vjosa-2 Korriku.
Ndaj zyrtarit të KF “Dinamo”, Arian Bytyqi nr ID 03498M70. Motivi: Në ndeshjen e KEK-u-Dinamo në min 83 ndëshkohet me karton të kuq direkt, ofendoi rëndë gjyqtarin kryesor dhe gjyqtarin e katërt. Sipas raportit të gjyqtarit kryesor të ndeshjes Kek-u-Dinamo.
Këshilla juridike:
Pala e pakënaqur ka të drejtën e kundërshtimit në inicime-raporte / ankesës në vendimet të Komisionit Disiplinor i FFK –së / Komisioni i Apelit i FFK-së, në afatin prej 3 ditësh nga publikimi i këtij Inicimi/vendimi në faqen zyrtare të FFK-së apo datës së dërgimit në emailin e klubit.
Komisioni i Garave i FFK-së
Abdyl Bellopoja, kryetar
Prishtinë, 03.09.2024