Batatina: I kemi dhënë premio Fushë Kosovës dhe kjo është legjitime, por Ballkani sot tentoi kurdisjen e ndeshjes

Tahir Batatina ka reaguar për skandalin e dhënë pas ndeshjes Ballkani – Fushë Kosova, ku trajneri i mysafirëve Burim Shala është sulmuar nga presidenti i klubit suharekas Arsim Kabashi.

Fushë Kosova ka konfirmuar nëpërmjet një komunikate se Ballkani u ka kërkuar t’ia lëshojnë lojën dhe kjo përbën një tjetër skandal.

Ndërkohë për këtë ka reaguar edhe trajneri i Llapit, Tahir Batatina duke konfirmuar se Fushë Kosova ka pasur premio nga ta dhe Drita.

“Është e vërtetë që e kemi motivuar Fushë Kosovën me premio. Personalisht nuk e di se sa pasi presidenti ynë ka folur, por mund të konfirmoj që Fushë Kosova ka pasur premio nga Llapi dhe Drita për ta ndalur Ballkanin dhe kjo është legjitime”.

“E kemi motivuar Fushë Kosovën për ta ndalur Ballkanin dhe gjëra të tilla ndodhin në krejt Evropën, por nuk mund t’i kërkosh klubit lëshoma lojën po t’i jap kaq pare sepse kjo është tentim kurdisje”.

“Ballkani ka tentuar ta blej ndeshjen ndaj Fushë Kosovës dhe për këtë duhet reaguar FFK për të dënuar Ballkanin me pikë dhe presidentin e saj pasi nuk është në rregull ta sulmosh një trajner kundërshtar veç pse nuk ta ka lëshuar lojën”, thotë Batatina për Gazetën Olle.

Ai pranon se që nga xhiro e 27-të në Albi Mall Superligë, të gjithë kundërshtarët e Llapit kanë qenë të motivuar me premio nga Ballkani.

“Ballkani i ka motivuar kundërshtarët tanë që nga xhiro e 27-të me premio nga 30 deri në 50 mijë euro për të na ndalur në barazim ose për të na mposhtur”.

“Kanë pasur premio edhe Dukagjini edhe Gjilani, por edhe Fushë Kosova e Malisheva sot, megjithatë ua kemi zgjatur dorën në fund të ndeshjes pasi premiot janë legjitime”.

“Kjo që ka ndodhur sot është skandal i madh dhe FFK duhet marrë masa”, ka thënë Batatina. /Gazeta Olle/ 

A do të publikohen pamjet nga ‘tuneli’ i stadiumit në Suharekë, aty ku ndodhi sulmi ndaj trajnerit Burim Shala?

Skuadra e Farku Statovcit rikthehet te fitorja, ka shpresë për një vend në Ligën e Parë