Federata e Futbollit të Kosovës vazhdon të mbetet pa u licencuar nga Ministria e Sportit, pasi Komisioni vlerësuar kishte gjetur mangësi në dokumentin e aplikimit të FFK-së, i cili është kthyer disa herë mbrapsht.
E në javët e fundit, disa klube janë çuar në këmbë duke e kërkuar licencimin e Federatës, ose të paktën që t’ju mundësohet nxjerrja e vërtetimit, i cili do t’ua mundësonte sponsorëve që t’i nxjerrin paratë e lehtësimeve të tatimit në fitim që u takojnë, gjë e cila nuk ka ndodhur deri më tash, shkruan “Gazeta Express”.
Tash, pasi FFK-ja vazhdon të mbetet ende pa u licencuar, Tahir Batatina, njëri prej iniciatorëve të takimeve që ndodhën në javët e fundit, e ka paralajmëruar rritjen e dozës së aktiviteteve të tyre.
Trajneri i Llapit ka paralajmëruar protesta, pasi konsideron se klubet në këtë rast janë më të dëmtuarit ngase nuk po mundë të llogarisin në sponsorë, e që po iu përkeqësohet gjendja dita-ditës.
Gjithashtu, ka kërcënuar edhe me ndërprerje të garave nëse nuk ndodh diçka në këtë drejtim.
Sidoqoftë, klubet e mëdha të Superligës nuk e kishin përkrahur këtë iniciativë, të nisur nga Tahir Batatina, Avni Haxhiu dhe Shaban Baholli, që njihen si njerëz të afërt të kryetarit Agim Ademi, duke konsideruar se këto takime ishin bërë për interesa personale dhe me direktiv të krerëve të FFK-së, për t’i bërë presion MKRS-së.
Më poshtë mund ta lexoni postimin e Batatinës në rrjetet sociale:
A po humb durimi tek klubet e futbollit sepse para dy javëve, Komisioni i Licencimit na premtoj se do t’i rikthej vërejtjet e tyre për klubet, klubet t’i rregullojnë ato dhe të licensohet Federata e Futbollit e të vazhdoj Ligji për Sponsorizim.
Po duket që rruga e vetme e mundshme do të jetë ndërprerja e garave dhe mobilizimi për hapat e radhës ndaj Ministrisë që tash e ka kaluar çdo limit profesional, njerëzor por edhe sportiv.
Nëse kjo Ministri nuk i respekton pronarët e klubeve, donatorët dhe sponzorët që sa do pak po mundohen të kontribojnë për këtë rini por siq po shihet juve nuk është duke iu interesuar rinia dhe as sporti por vetëm ta kaloni mandatin tuaj qeveritar që diçka ndryshe ju keni premtuar rinisë tonë dhe këtij vendi.
A është obligim i përbashkët të dalim nga kjo situatë që e keni krijuar pa asnjë arsyetim?
E di se po hezitoni të takoheni me klube dhe përfaqësues të tyre sepse nuk keni çfarë të na thoni por ne jemi munduar në çdo formë të bëjmë zgjidhje ju nuk po reflektoni dhe opsioni i fundit hiq i dëshirueshëm por i domosdoshëm për situatën që na keni sjell neve si klube dhe komitetit të futbollit na duhet që ta mendojmë daljen në rrugë me protesta masive sepse nuk tolerohet kjo gjendje më pa asnjë bazë ligjore për të cilën jeni duke na maltretuar.