Batatina: Djemtë janë kënaqur me ndeshjen e kaluar dhe kanë menduar që Ferizajn do ta mundin lehtë

Llapi është mposhtur nga Ferizaj në kuadër të xhiros së 15-të në Albi Mall Superligën e Kosovës me rezultat 1-2.

Ka qenë kjo njëra nga befasitë më të mëdha, me Ferizajn që mori tre pikë të arta nga udhëtimi në Podujevë.

Tahir Batatina ka thënë se ka qenë një humbje e dhimbshme, pasi futbollistët e tij janë kënaqur me ndeshjen e kaluar kur mposhtën Dritën 4-1.

”Mendoj që djemtë janë kënaqur me ndeshjen e kaluar dhe kanë menduar që Ferizajn do ta mundin lehtë dhe kjo është arsyeja për humbjen e ndeshjes”.

“E kemi pranuar një gol që nuk është dashur ta pësojmë. Kur është dashur ta barazojmë rezultatin bëmë gabim sërish në defanzivë dhe pranuam golin e dytë. Kur skuadra më pas mbrohet me 10 lojtarë në zonë është e vështirë të shënohet. Disa lojtarë ndoshta nuk e kanë dhënë maksimumin dhe nuk i kryen detyrat”.

“Shënuam një gol që nuk ishte e mjaftuar. Kjo ndeshje na ka vënë në vështirësi dhe tani duhet të reagojmë në ndeshjen e ardhshme”.

“Sot nuk është dashur të humbet takimi. Nuk i shfrytëzuam rastet tona. Këto ngritje-ulje të skuadrës nuk janë të mira, por duhet ta gjejmë ku është defekti. Ka ende ndeshje, por kjo ishte ndeshja më e dhimbshme për Llapin”, tha Batatina.

Pas kësaj fitore, Ferizaj vazhdon të mbetet në vendin e fundit me 12 pikë, ndërsa Llapi i gjashti me 15 pikë. /Gazeta Olle/

Daja flet për mungesat e Ballkanit dhe pikën e fituar në udhëtim te Drita

Dramë në dy grupet e Ligës së Parë – rezultatet komplete dhe renditja tabelare pas xhiros së 13-të