Basketbollisti shqiptar në mes të dy Kombëtareve

Përzgjedhësi i Sllovenisë në basketboll, Igor Kokoshkov, të hënën ka bërë publike listën me emrat e 29 basketbollistëve që konkurrojnë për paraqitje në kampionat evropian, shkruan sot Koha Ditore.

Befasisht, në listën e Kokoshkovit është edhe emri i alos kosovare, Erjon Kastrati. Kastrati ka shtetësi të Sllovenisë, të cilën e ka fituar pikërisht për të luajtur për përfaqësueset e këtij shteti. Por ai kohë më parë është deklaruar se dëshiron të luajë për Kosovën dhe tashmë është përfshirë në listën e gjerë të Kosovës. Kështu Kastrati tashmë është i ftuar në dy përfaqësuese.

Sllovenia do të luajë në “Eurobasket 2017”, ndërsa Kosova në paraeliminatore për botërorin e vitit 2019, pasi për “Eurobasket” nuk është kualifikuar.

Kosova përgatitjet i nis më 1 korrik. Në Federatën e Basketbollit të Kosovës kanë qenë të sigurt se Kastrati do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së selektorit Brad Greenberg.