Bashkimi fiton 10 mijë euro nga transferimi i Marcel Jones

Ish-basketbollisti i Bashkimit, Marcel Jones, ishte larguar nga prizrenasit për arsyetime familjare, por u zotua se do të rikthehet. Kjo nuk ndodhi. Basketbollisti amerikan kishte nënshkruar kontratë me klubin Canterbury Rams, pavarësisht marrëveshjes të cilën e kishte me Bashkimin.

Pas kësaj drejtuesit e klubit prizrenas kanë kontaktuar me drejtuesit e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), duke i dërguar kontratën e lojtarit. FBK-ja kishte kërkuar nga institucioni më i lartë në basketboll FIBA, që të merren masa në lidhje me këtë lëvizje të lojtarit. Dhe, FIBA ia kishte ndaluar lojtarit të paraqitet për ekipin e ri.

Drejtori sportiv i prizrenasve, Arlind Kaçaniku, zbuloi për “Zërin” procedurën që kishin ndaj Jones. “Ai ishte larguar me arsyetim familjar gjë që e kishte mirëkuptuar klubi. Pas kësaj ai kishte nënshkruar kontratë edhe me një skuadër tjetër përkundër kontratës që kishte me ekipin tonë”, u shpreh fillimisht Kaçaniku. Ndryshe, Kaçaniku thotë se pas kësaj është kontaktuar me FBK-në dhe FIBA-në.

“Me të kuptuar që ai ka nënshkruar kontratë me një ekip tjetër kemi kërkuar të drejtat tona. Pas verifikimit të kontratës, e cila ishte e rregullt atëherë lojtarit i është pamundësuar që të luajë me ekipin e tij pa arritur marrëveshje me ne”, potencoi Kaçaniku. Jones ishte paraqitur në ndeshjen e parë me ekipin e tij, por më pas i ishte ndaluar të luajë.

Sa kushtoi Jones?

Me largimin e basketbollistit amerikan, Jones, skuadra e Bashkimit ka arritur edhe të përfitojë materialisht nga ekipi që ka nënshkruar me lojtarin. Vetë Kaçaniku e ka konfirmuar se tashmë janë dëmshpërblyer.

“Pasi i kemi ndalur që të luajë me ekipin e tij të ri jemi kontaktuar nga vetë lojtari dhe klubi. Kemi arritur marrëveshje dhe kemi fituar një shumë të konsiderueshme parash. Nuk mund ta bëjmë të ditur shumën, por mund t’ju them se jemi ekipi që deri më tani ndoshta prej lojtarëve të huaj kemi fituar më së shumti”, përfundoi Kaçaniku.

Gazeta ka mësuar se shuma që ka fituar Bashkimi nga largimi i Jones është rreth 10 mijë euro. Të kujtojmë se më herët nga Bashkimi ishte larguar me marrëveshje edhe alo-qendra shqiptare, Gerti Shima, drejt Sigal Prishtinës dhe së fundmi fundori amerikan, Tay Waller, që i është bashkuar ekipit malazez, Mornar. Bashkimi ishte pjesë edhe e Ligës Ballkanike, duke debutuar me sukses në garat ndërkombëtare.