Bashkim Shala me dedikim të veçantë për golin

Bashkim Shala debutoi me gol në fanellën e Prishtinës. Mesfushori i  ardhur nga Kosova e Vushtrrisë, shënoi golin e parë në fitoren 2:0 ndaj Vëllaznimit në Gjakovë.

Ai ka një dedikim të veçantë për golin. “Golin ia dedikoj familjes dhe të dashurës. E dashura ime para ndeshjes më tha të shënojë për të dhe këtë e bëra”, deklaroi Shala për Gazetën Olle.

Shala e kishte ndjerë edhe vetë golin, sidomos gjatë zhvillimit të ndeshjes. “Jam përgatitur shumë mirë gjatë fazës përgatitore, në mënyrë që të fillojë kampionatin sa më mirë. Para ndeshjes nuk kam pritur që do të shënojë, por gjatë lojës e kam ndier që do të më vije rasti për të shënuar, pasi Vëllaznimi filloi të luajë lojë të hapur”, shtoi ai.

Ky gol nuk pritet të jetë i vetmi për të te Prishtina. “Kjo gol më jep motiv për ndeshjet tjera të kampionatit”.

Prishtina javën e ardhshme pret Trepçën në kryeqytet. (Gazeta Olle)