Bartomeu përfshin Vilanovën në çështjen “Neymar”

Një tjetër kapitull nga cështja e transferimit të Neymar te Barcelona. Presidenti i klubit blaugrana, Josep Maria Bartomeu nuk ka ngurruar të përfshijë në të emrin e Tito Vilanovës, ish-trajnerit të skuadrës që u nda nga jeta prillin e kaluar pas një sëmundje të rëndë duke deklaruar se ishte pikërisht Tito ai që kërkoi që klubi të përshpejtonte blerjen e Neymar. Lajmin e bëri të ditur radioja spanjolle “Cadena Ser” që publikoi seancën dëgjimore të presidentit të Barcelonës para gjykatësit Pablo Ruz ku Bartomeu shprehet.

“Në 2013 kishim kërkesën e Vilanovës për ta përshpejtuar me një vit blerjen e Neymar. Sipas tij klubi kishte nevojë për një lojtar të atij tipi. Shkuam ta takonim në New York, ku Tito po bënte kimioterapinë dhe ai na kërkoi të ndryshonim strategjinë. Nuk dëshironte me David Villa-n dhe kërkonte Neymar menjëherë. Në atë pikë presidenti Rosell përfundoi tratatovat me të atin e futbollistit”.

Është kjo deklarata e Bartomeut para gjykatësit. I vetëdijshëm për ndjeshmërinë që ka shkaktuar në publikun e gjerë një lajm i tillë, Bartomeu u detyrua të dalë para kamerave duke deklaruar se fjalët e tij janë keqintepretuar ndërsa shtoi se blerja e Neymar ishte një kërkesë e gjithë stafit teknik dhe jo vetëm e Tito Vilanovës. Klubi katalanas ka deklaruar se kishte paguar 57 milionë Euro për futbollistin, por hetuesit dyshojnë se cmimi real për Neymar ka qenë 83 milionë Euro. Gjykatësi ruz ka akuzuar klubin dhe drejtuesit e tij se kanë hartuar një sërë kontratash për të fshehur koston reale të futbollistit, i cili u transferua te Barcelona në 2013. Akuza ka kërkuar 2 vjet burg për Bartomeun që në atë kohë ishte zv/president i klubit dhe 7 vjet burgim për presidentin e asaj kohe, Sandro Rosell. Ishte pikërisht përshpejtimi i transferimit të talentit brazilian që rriti në mënyrë të ndieshme koston dhe sot Barcelona për këtë arsye është në proces gjyqësor për evazion fiskal. vlen për të kujtuar se në të vërtetë blerja e sulmuesit të Santos u krye një vit përpara kohe për shkak të ndërhyrjes së befasishme në tratativa të Realit të Madridit, edhe pse më pas Los Blancos u tërhoqën.