Barcelona mposht Betisin dhe do të përballet me Realin në finalen e Superkupës së Spanjës

Barcelona ka shënuar fitore ndaj Real Betis pas penalltive, pasi loja e rregullt u mbyll 1-1, ndërsa vazhdimet 2-2, për të kaluar në finalen e Superkupës së Spanjës, ku i pret Real Madridi. 

Ndeshja nisi me raste nga të dyja palët, ku fillimisht në minutën e 22-të rrezikoi Nabil Fekir.

Një minutë më pas Raphinha asistoi te Pedri i cili shënoi, por goli u anulua për pozitë jashtë loje.

Goli erdhi në minutën e 40-të, kur Roberto Lewandowksi shënoi për 1-0 nga afër.

Fillimi i pjesës së dytë erdhi me një rast të mirë të Raphinhas, i cili hubi një mundësi të artë para porte.

Në minutën e 77-të u barazuan shifrat, kur Nabil Fekir përfitoi nga një rënie e mbrojtjes së Barcelonës për të shënuar për 1-1.

Barcelona shënoi edhe një herë në minutën e 81-të me Lewandowskin, por goli sërish u anulua për pozitë jashtë loje.

Koha e rregullt u mbyll në barazim dhe skuadrat shkuan në vazhdime për të gjetur finalistin.

Menjëherë shënoi Ansu Fati me një goditje të bukur brenda zonës për 2-1, duke e kthyer Barcelonën në avantazh.

Por Betis nuk u dorëzua dhe sërish barazoi në minutën e 101-të, kur Loren Moron ishte i saktë nga afër për 2-2.

Në vazhdimin e dytë skuadrat nuk shënuan dhe ndeshja u zgjidh me penallti.

Më të saktë ishin lojtarët e Barcelonës duke shënuar fitore dhe duke kaluar në finalen e madhe të Superkupës së Spanjës, ku përballë tyre do të jetë Real Madridi.

Ballkani interesohet për yllin e Tiranës, por situata për transferimin e tij nuk është e lehtë

Roma mposht Genoan dhe kalon në çerekfinale të Kupës së Italisë