Barcelona dhe Bayern Munchen kalojnë tutje në Ligën e Kampionëve, na pret një çerekfinale drithëruese!

Barcelona dhe Bayern Munchen janë kualifikuar në cerekfinale të Ligës së Kampionëve, pasi eliminuan Napolin respektivisht Chelsean. 

Barcelona shënoi fitore 3:1 kundër Napoli në ‘Camp Nou’, për të siguruar kalimin në fazën tjetër të garave, me rezultatin e përgjithshëm 4:2.

Napoli e nisi vrullshëm takimin duke qëlluar shtyllën pas vetëm 90 sekondave me anë të Mertens, megjithatë Barcelona u zgjua shpejtë nga gjumi.

Clement Lenglet shënoi për 1:0 pas vetëm 10 minutave lojë, kur pas harkimit të Rakitic nga këndorja, qëlloi saktë me kokë.

13 minuta më vonë, Lionel Messi me një super aksion individual shënoi për 2:0, duke lehtësuar frymëmarrjen për katalanët.

Argjentinasi gjeti golin edhe në minutën e 30’, por teknologjia VAR e vlerësoi si të parregullt.

Kurse, në fundin e pjesës së parë u shënuan edhe dy golat që vendosën rezultatin final të këtij takimi.

Luis Suarez dhe Lorenzo Insigne të dy u treguan të saktë nga pika e bardhë, për rezultatin final 3:2.

Me këtë fitore, Barcelona vazhdon rrugëtimin në Ligën e Kampionëve, ku tashmë do të ketë punë me të frikshmit nga Bundesliga, Bayern Munich. 

Gjiganti bavarez ka mposhtur Chelsean me rezultatin 4:1, për të prerë biletën për çerekfinalen e Ligës së Kampionëve, me rezultatin e përgjithshëm 7:1 nga dy ndeshjet.

Bayern e nisi vrullshëm edhe ndeshjen e dytë, duke shënuar qysh në minutën e 10’ me anë të Robert Lewandowski, i cili u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë.

Kampionët e Bundesliga dyfishuan epërsinë me anë të kroatit Ivan Perisic, i cili në minutën e 24’ shënoi për 2:0.

Chelsea reagoi fillimisht me anë të Hudson Odoi në minutën e 28’, por ky gol u anulua nga VAR.

Një minutë para fundit të pjesës së parë, Tammy Abraham shënoi golin e parë të ‘Bluve’, për rezultatin 2:1.

Por, në 45 minutëshin e dytë Bayern arriti që të gjente golin edhe dy herë. Fillimisht Corentin Tolisso shënoi për 3:1 në minutën e 76′, kurse Robert Lewandowski vulosi rezultatin final 4:1 në minutën e 84′.