Ballkani konfirmon interesimin për Albutrint Morinën, marrëveshja gati

Mesfushori kreativ, Albutrint Morina, mund të transferohet te skuadra e Ballkanit në afatin kalimtar të janarit.

Ai është një prej kërkesave kryesore të trajnerit Ismet Munishi, i cili dëshiron ta ketë në dispozicion futbollistin gjakovar për afatin kalimtar të janarit.

Klubi nga Suhareka ka konfirmuar interesimin për Morinën.

Menaxheri Arben Osmani ka thënë që Ballkani ka shprehur interesim edhe më herët për mesfushorin, mirëpo ka theksuar që deri më tani nuk ka marrëveshje.

“Morina edhe më herët ka qenë objektivi ynë, mirëpo tani për tani nuk ka marrëveshje. Do t’ju informojmë me kohë”, deklaroi Osmani për Gazetën Olle.

Morina është një prej futbollistëve të liruar nga Feronikeli, të cilët duhet të gjejnë skuadër të re në janar.

Ai ishte njëri ndër lojtarët më të dalluar të mesfushës “industrialiste” në edicionin e kaluar, kur Nikli u shpall kampion dhe fitues i Kupës së Kosovës.

Kujtojmë që Morina ishte transferuar nga Vëllaznimi te Feronikeli në kohën kur Ismet Munishi ishte në krye të ekipit nga Drenasi.

Pas Vëllaznimit e Feronikelit, duket që Morina do të jetë nën urdhërat e Munishit edhe në vitin 2020. /Gazeta Olle/