Ballkani ende i pamposhtur në Superligë – Isufi flet për rikthimet e mëdha, luftën për titull si dhe transferimet e klubit

Ballkani është skuadra e vetme pa humbje në BKT Superligën e Kosovës pas tetë xhirove.

Skuadra nga Suhareka mbanë vendin e parë në tabelë me 16 pikë, ku ka marrë katër fitore e katër barazime.

E për ecurinë e skuadrës nga Suhareka, rezultatet e deritanishme dhe objektivat e klubit flet për Telegrafin trajneri Bekim Isufi.

Për rezultatet e mira në këto tetë xhirot e para, Isufi ka thënë se ka ndikuar edhe faza e mirë përgatitore që kanë bërë dhe grupi i lojtarëve.

“Kemi bë një fazë përgatitore jashtëzakonisht të mirë, kemi bërë një grup që lufton edhe gjatë stërvitjeve, kemi rritur edhe konkurrencën. Kemi punuar në aspektin psikologjik që çdo ndeshje të shihet si një finale”, tha Isufi për Telegrafin.

Ballkani po njihet edhe si skuadër që rikthen rezultatet dhe këtë e bëri së fundmi edhe ndaj Drenicës.

“Të gjithë së bashku kemi punuar që të jem të qetë deri në fund të takimit. Jemi të vetëdijshëm se fitorja arrihet vetëm atëherë kur gjyqtari jep fundin e ndeshjes dhe deri në atë moment e gjithë skuadra lufton”, vazhdoi tutje Isufi.
“Kemi një bashkëpunim të jashtëzakonshëm mes stafit dhe futbollistëve. E dimë se çka po dëshirojmë brenda kërkesave dhe objektivave që ka klubi”.

“Jemi të qetë si gjatë seancave stërvitore ashtu edhe në fushë. Futbolli është i papritur dhe vetëm me qetësi të madhe mund të rikthehen rezultatet, por edhe duhet të jemi të kujdesshëm për ta ruajtur atë”, vazhdoi tutje Isufi.

“Grupi i lojtarëve është i mirë, është që dy apo tri vite së bashku dhe gjithmonë besojnë se mund të rikthejnë rezultatet, pa marrë parasysh kundërshtarin”, u shpreh Isufi.

Shënojnë shumë edhe mbrojtësit – Isufi nuk mendon se ka ngërç te sulmuesit

Ballkani njihet për futboll sulmues, por në këto javët e para të kampionatit shumë gola janë shënuar edhe nga mbrojtësit e këtij klubit.

Megjithatë trajneri Bekim Isufi, nuk mendon se ka ngërç tek sulmuesit e klubit të tij.

“Mendoj se nuk ka ngërç, pasi kemi luajtur në fillim të kampionatit edhe pa sulmues të deklaruar. Sulmuesi ynë Solmon ka ardhur me vonesë dhe i duhet kohë deri sa të ambientohet”, tha Isufi.

Sa i përket golave të shënuar nga mbrojtësit, Isufi thotë se kjo është falë punës së madhe që bëjnë nga ndërprerjet.

“Punojmë shumë në ndërprerje gjatë stërvitjeve. Golat e mbrojtësve nuk vinë rastësisht, por janë të përgatitur në seanca stërvitore”.

“E mira e Ballkanit është se rreziku vjen nga të gjithë lojtarët, pasi punohet që të rrezikohet nga e gjithë grupi. Do të thotë ne jemi një grup i mirë që sulmojmë së bashku dhe mbrohemi së bashku”, u shpreh Isufi për Telegrafin.

Konkurrentët për titull sipas Isufit

Ballkani është njëra nga skuadrat favorite për ta fituar titullin e kampionit në BKT Superligë.

Por trajneri Isufi e di se një gjë e tillë do të jetë e vështirë, duke marrë parasysh se shumë skuadra synojnë trofeun e kampionit.

Isufi ka thënë se kandidatët për titull përveç Ballkanit janë edhe Drita, Prishtina dhe Gjilani.

“Në fillim të kampionatit kam thënë se do të jetë kampionat shumë i ekuilibruar. Drita, Prishtina dhe Gjilani do të jenë rivalët tanë. Por prapë se prapë mendojë se me futjen e VAR-it edhe skuadra që cilësohen si më të vogla kanë gjasat e veta”.

“Qëllimi i Ballkanit është që në çdo ndeshje të futet me forcën maksimale për të marrë maksimumin, pastaj të shohim se çfarë do të ndodhë”, tha Isufi.

Krejt në fund Isufi foli edhe për transferimet e skuadrës së tij, por që nuk deshi ta ndajë ndonjërin nga lojtarët, pasi sipas tij grupi është më i rëndësishëm se sa individët.

Isufi lavdëroi shumë punën e drejtorit sportiv, Nderim Nexhipi për atë që po bën për klubin suharekas.

“Transfeirmi më i mirë është grupi që ka mbete në Suharekë nga edicionet e kaluara. Kanë ardhur edhe futbollistë të rinj që na kanë bërë më të fortë”, u shpreh Isufi.

“Duhet ta përmendi që ardhja e drejtorit sportiv Nderim Nexhipi e ka ndihmuar jashtëzakonisht shumë klubin”.

“Nexhipi ka bërë punë të madhe me prurjet e lojtarëve, por e ka ndihmuar shumë klubin edhe në aspektin organizativ”, përfundoi Isufi .

Tri skuadra me pikë të njëjta kryesojnë në Ligën e Dytë, ja si duket tabela pas pesë xhirove

Ministri i Sportit: Me dinamikën e deritashme, stadiumi në Gjilan ndërtohet më 2041