Ballistët për gazetën e madhe italiane: Jemi gati për UÇK!

Gazeta prestigjioze italiane “Gazzetta dello Sport” ka zhvilluar një intervistë me disa tifozë të Shkëndijës.

Kjo, në kuadrin e dy ndeshjeve të “play-off”-it të Ligës së Europës mes Shkëndijës së Tetovës dhe Milanit të madh.

Intervistën po e sjellim në tërësi për lexuesit, pa ndërhyrje, shkruan “Telesport”:

E kam lexuar historinë e klubit. Shkëndija çdo herë ka pasur lidhje të fuqishme me Shqipërinë. Lexova se një anëtar i juaji, Ismail “Ballist” Morina është arrestuar në Kroaci dhe e pret ekstradimi në Serbi për rastin “Dron” në ndeshjen Serbi-Shqipëri? Çka mendoni në lidhje me ekstradimin? Si është raporti juaj me opinionin maqedonas?
Shkëndija është klub shqiptar dhe ne gjithmonë kemi respekt për Shqipërinë dhe Kosovën. Ismail “Ballist” Morina është nga Kukësi i Shqipërisë, ndërsa mënyra e sjelljes së qeverisë shqiptare është katastrofë. Jemi të mllefosur për shkak se nuk po mund të bëjmë asgjë derisa ai është në Kroaci. Nëse përfundon në Serbi nuk do të jetë lehtë për askënd. Nuk kemi kurrfarë raporti me opinionin në Maqedoni, i urrejmë dhe iu dëshirojmë më të keqen, sikur ata që na e dëshirojnë neve.

Çka paraqet Shkëndija për ju? Nuk është vetëm thjesht një ekip…
Për ne Shkëndija është gjithçka. Ajër dhe ushqim. Për Shkëndijën jemi gati të shkojmë në burg, madje edhe të vdesim. Ajo na ka dhënë më shumë se kushdo tjetër në Iliridë (Maqedoni). Nëse ndonjëherë vini në Tetovë, që ta ndiqni ndeshjen tonë me rivalin Vardarin, do të shihni se çka domethënie ka Shkëndija për ne. Ka pleq prej 60-70-80 vjeç që qajnë kur fitojmë dhe fëmijë që rriten me dëshirën që të luajnë për Shkëndijën.

Emri “Ballistë” nga vjen? Çka qëndron pas tij?
KF Shkëndija është themeluar në vitin 1979 për të përfaqësuar shqiptarët në Jugosllavi dhe më pas në Maqedoni. Emri “Ballist” vjen nga “Balli Kombëtar”, që ishin luftëtarë të njohur si ballistë. Ka qenë lëvizje për ekzistencën e shqiptarëve, lëvizje antikomuniste, kurse si organizatë politike ka lindur në vitin 1942. Motoja e Ballit Kombëtar ishte: Shqipëria e shqiptarëve, vdekje tradhtarëve! Grupi ynë është themeluar në vitin 1992 nga disa tifozë, të cilët sot e kësaj dite shkojnë nëpër ndeshje të Shkëndijës, si vendës, ashtu edhe mysafirë, mirëpo grupi tani është shumë i madh, jemi si një familje, e cila vendos për çdo punë. Nga viti në vit rritemi dhe askush nuk mund të na ndalë.

Vardari, rivali juaj i ka ngjyrat e njëjta, por shfrytëzon “V”-në cirilike të emrit. Prej nga vjen rivaliteti me ta?
Për ata jemi të frikshëm: çdoherë që dëgjojnë “ballistët” nuk flenë me ditë. Maqedonasit janë të përkrahur nga qeveria maqedonase, ne urrehemi pafund.

Si do ta prisni Milanin në shtëpinë tuaj, “Ecolog Arena”?
“Ecolog Arena” ende nuk është gati. Do të jetë pas dy-tri vitesh. Me Milanin luajmë në Shkup, në “Telekom Arena”. Për Milanin do të jetë mirë, nuk kemi asnjë problem. Milani u sjell shkëlqyeshëm  me ne.

Në raport me sulmet terroriste në Lagjen e Trimave në Kumanovë në vitin 2015, cili është pozicioni juaj në raport me UÇK-në?
Kumanova ishte një skemë mjaft inteligjente për të përfunduar me të gjithë luftëtarët e tjerë në Maqedoni. Ata njerëz të guximshëm janë vrarë atë ditë në Kumanovë, kur qeveria maqedonase i kërkonte për shkak të luftës së vitit 2001. U është thënë që të vijnë në Maqedoni dhe se gjithçka do të jetë e harruar, për të jetuar në mënyrë normale. Vetëm sa kanë kaluar kufirin, ata janë sulmuar nga ushtria maqedonase dhe kanë ikur në Kumanovë. Tifozët tanë kanë bashkëpunuar me UÇK-në gjatë luftës në Kosovë, në vitet 1998-1999, dhe luftën në Maqedoni, në vitin 2001. Sot nuk kemi kurrfarë raporti me ta, por në rast se iu nevojitet ndihmë, do të jemi të parët që shkojmë.