Bajram Jashanica bëhet me skuadër të re, ishte në stadium për ta parë nga afër?

Kukësi pritet të ndërhyjë në merkaton e janarit në repartet ku ka më shumë nevojë dhe mesa duket, mbrojtja është njëri prej tyre.

Drejtuesit e verilindorëve kanë përpiluar një listë me emrat e mundshëm që mund të transferohen në merkaton e janarit dhe pjesë e kësaj liste është edhe Bajram Jashanica, i cili me fanellën e Skënderbeut ka qenë ndër më të dalluarit por një dënim nga anti-dopingu e detyroi të qëndronte shumë kohë jashtë fushave.

Jashanica rikthehet në fushë në muajin janar dhe Kukësi synon ta afrojë në skuadër për të pasur mundësi më shumë në mbrojtje. Fakti që Jashanica është stërvitur intensivisht gjatë kësaj kohe, e ka bërë Kukësin të mos e mendojë si problem faktin që nuk luan prej dy vitesh.

Burime pranë klubit të Kukësit, konfirmojnë për “VipSport.al” se me Skënderbeun është arritur akordi për transferimin e tij, teksa pritet vetëm kalimi i mbrojtësit në janar.

Jashanicës i është paraqitur oferta nga klubi për sa i përket termave financiarë dhe kontratës që do të firmosë, teksa është pikërisht mbrojtësi ai që do të thotë fjalën e fundit për ta pranuar, apo edhe refuzuar këtë kontratë.