“Baca Ajet” nuk dorëzohet

Pavarësisht se kanë harruar ndjenjën e fitimit të pikëve këtë vit, trajneri i Trepçës, Ajet Shosholli nuk e ka ndërmend të dorëzohet. Skuadra e tij ndodhet e fundit në renditjen e Superligës me 15 pikë të tubuara.

Shosholli vajton mungesën e sulmuesve cilësor.

“Në 21 ndeshjet e deritashme i kemi shënuar vetëm 12 gola. Kjo tregon se ekipit tonë i mungon shumë një golashënues kualitativ. Nuk dua të arsyetohem, por paksa po na mungon edhe fati, nëse mund të them, sepse po pësojmë gola pas minutës 84”, tha Shosholli për Zërin, që ndryshe njihet si Baca Ajet.

“Shpresat për të mbijetuar në Superligë me Trepçën janë realisht shumë të vogla tani. Në çdo ndeshje duhet të hyjmë për të fituar pikë. Duhet të jemi të mobilizuar dhe të shpresojmë në mbijetesë”, shtoi ai.

Pas humbjes nga Vëllaznimi të shtunën, kryesia e klubit i kishte dhënë mbështetjen trajnerit të mirënjohur. (Gazeta Olle)