Babaj kritikon rikthimet e Dritës: Ky klub po më pëlqen në afatin kalimtar!

Ish-futbollisti i njohur Shpëtim Babaj, i cili kohëve të fundit e luan rolin e menaxherit të lojtarëve, ka thënë se klubet tona duhet ndryshojnë strategji sa u përket përforcimeve.

Ai është parë i befasuar me lëvizjet që ka bërë Feronikeli, ku largon futbollistët titullarë për të sjellë lojtarë të rinj, të cilët nuk garantojnë që mund të sjellin menjëherë freski.

“Çuditem shumë me Feronikelin, që është një skuadër superkorrekte dhe me superkushte, se si po bën kaq shumë ndryshime”.

“Ata lojtarë që i ka marrë nuk e di se sa do të përshtaten me futbollin e Kosovës, përveç Ilir Berishës, që e njeh mjaft mirë ligën, por nga ana tjetër kanë larguar Prekazin, një supermbrojtës”, ka thënë Babaj për gazetën Zëri, duke komentuar më pas edhe lëvizjet e fundit të Dritës, që ktheu ish-futbollistët e vet, Kastriot Rexha e Astrit Fazliu.

“Edhe Drita ka një kryesi shumë të shëndoshë e me staf të mirë, por pak më duket e çuditshme kjo kur lojtarët ikin dhe kthehen, madje disa herë në të njëjtin klub”.

“Krejt çfarë mund të them tash për tash është se Ballkani është duke vepruar më së miri, pasi nuk po i bën gjërat me nxitim, por po e analizon mirë situatën para se të vendosë”, ka thënë Babaj, i cili befasohet me Prishtinën, që ende nuk ka bërë transferime që janë shumë të nevojshme në ndjekjen e titullit të kampionit.