Babai i Granitit dhe Taulantit kërkon barazim në ndeshjen Zvicër – Shqipëri

Ragip Xhaka është një prind me fat, pasi dy djemtë e tij Taulant Xhaka dhe Granit Xhaka janë bartës të lojës në dy kombëtare të ndryshme.

Taulanti është njëri nga lojtarët kryesor te Shqipëria, ndërsa Graniti është kryesori në Përfaqësuesen e Zvicrës.

Fati ka dashur që Graniti dhe Taulanti të përballen me njërin tjetrin në kampionatin evropian, ku Shqipëria do të jetë në grup me Zvicrën, Francën dhe Rumaninë.

Në një prononcim për ‘Blick’, Ragip Xhaka ka thënë se do të dëshironte një barazim në këtë ndeshje.

Cilin do ta përkrah Ragipi? “Sigurisht që të dy”, shprehet fillimisht prindi i dy yjeve shqiptarë, duke shtuar:

“Jam duke shpresuar në një barazim dhe që të dyja ekipet të kualifikohen tutje nga grupi A”, thotë Xhaka i cili beson se ndeshja Zvicër – Shqipëri do të jetë ndeshje miqsh jo urrejtje.

“Shumica e lojtarëve të Kombëtares shqiptare janë rritur në Zvicër dhe ata e njohin njëri-tjetrin. Nuk ka vend për urrejtje, është ndeshje mes miqve”, përfundoi Ragip Xhaka.