Selektori Alain Giresse dje e publikoi listën e Kombëtares së Kosovës për dy ndeshjet e qershorit që “Dardanët” do t’i zhvillojnë ndaj Rumanisë dhe Bjellorusisë, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian “Euro 2024”.
Në këtë listë çuditërisht mungoi emri i Arbnor Mujës, një lojtar që po rritet me hov të shpejt – i cili për më tepër të dielën e fitoi titullin e kampionit të Belgjikës me Antwerpin, me të cilin ekip po ashtu e ka fituar edhe Kupën e Belgjikës, shkruan Gazeta Express.
Pas kësaj, gazeta nga Tirana “Sport Ekspress” raportoi se Muja do t’i bashkohet Kombëtares së Shqipërisë.
Në anën tjetër, ky lajm nuk është konfirmuar ende as nga Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF), as nga Federata e Futbollit e Kosovës (FFK).
Gazeta Express sot ka kontaktuar me zyrtarët e lartë të Kombëtares Kosovës për t’i pyetur nëse Kosova e ka humbur Mujën, ose për të marrë informata nëse ai është ftuar për grumbullimin e “Dardanëve” – por, ata kanë refuzuar të prononcohen.
Sidoqoftë, Gazeta Express ka arritur ta zhvillojë një bisedë me babain e Arbnor Mujës, Naserin. Ky i fundit i ka thënë Expressit se djali i tij – tashmë kampion në Belgjikë – nuk është ftuar nga Kombëtarja e Kosovës për ndeshjet e këtij muaji. Madje, ai ka kujtuar se edhe në tubimin e kaluar, në mars të këtij viti, Arbnori, siç thotë ai, ndoshta është nënvlerësuar më tepër seç duhet.
“Në grumbullimin e kaluar të Kombëtares së Kosovës Arbnori nuk ka qenë as rezervist, pra ka qenë krejt në tribuna. Ndërsa, sa i përket grumbullimit të këtij qershori Arbnori nuk ka marr ftesë. Pra, tash Arbnori nuk është ftuar. Natyrisht, djali im mund të ndihet i nënvlerësuar sepse tashmë është edhe kampion në Belgjikë”, ka deklaruar për Express, Naser Muja.
Pavarësisht të gjithave, Naser Muja thotë se ende nuk është zyrtare vendimi i djalit të tij për të luajtur për Shqipërinë, por zbuloi eksklzuvisht për Gazetën Express se selektori i Shqipërisë, Sylvinho, ka kontaktuar me Arbnorin dhe kanë biseduar rreth angazhimit të tij te “Kuqezinjtë”.
“Sidoqoftë, Arbnori ende nuk ka vendosur asgjë. Thash se Kosova nuk e ka ftuar, por e ka kontaktuar selektori i Kombëtares së Shqipërisë, Sylvinho, dhe ai ka biseduar me djalin tim. Tash për tash djali im nuk është futbollist i Shqipërisë e as nuk është në listën e Shqipërisë të qershorit. Zyrtare nuk ka asgjë, s’ka as nënshkrim. Por, të shohim se çka do të ndodh. Edhe nëse i bashkohet Shqipërisë ne do të jemi të lumtur sepse kjo do të thoshte se s’po i bashkohet një shteti tjetër por shtetit shqiptar”, tha babai i futbollistit Arbnor Muja.
Arbnor Muja pasi u kurorëzua me dy trofe në Belgjikë, sot ka udhëtuar drejt Mitrovicës për të kaluar pushimet.
24-vjeçari, i cili në Kosovë ka bërë karrierë te Trepça, Trepça ’89 dhe Drita, si dhe në Shqipëri te Skënderbeu, është pjesë e Antwerpit që prej verës së kaluar.
Ai me “Të Kuqtë” ka regjistruar 33 paraqitje në total, ka shënuar katër gola dhe ka dhënë pesë asistime.