Atsu vazhdon të jetë nën rrënoja edhe tetë ditë pas tërmetit të tmerrshëm në Turqi

Vendndodhja e Christian Atsu mbetet e panjohur më shumë se një javë pas tërmeteve që goditën Turqinë dhe Sirinë – ka thënë agjenti i futbollistit të skuadrës turke, Hatayspor.

Pas tërmeteve me magnitudë 7.8 dhe 7.5 që i goditën këto vende më 6 shkurt, pati raporte fillestare se ish-mesfushori i Newcastle Unitedit ishte shpëtuar nga rrënojat e një ndërtese të shembur.

Por, agjenti i ganezit, Nana Sechere, postoi më pas mesazhe në Twitter (më 8 dhe 9 shkurt) duke thënë se Atsu nuk ishte gjetur ende.

Të martën, përfaqësuesi i 31-vjeçarit ka dhënë përditësime të reja duke konfirmuar se klienti i tij nuk është gjetur ende, derisa janë gjetur dy palë këpucë.

“Kanë kaluar nëntë ditë nga tërmeti dhe ende nuk e kemi gjetur Christianin. Ndodhem në vendin e tërmetit në Hatay me familjen e Christianit. Skenat janë të paimagjinueshme dhe zemrat tona janë thyer për të gjithë njerëzit e prekur”.

 

“Gjatë kohës që jam këtu, kemi qenë në gjendje të gjejmë vendndodhjen e saktë të dhomës së Christian Atsu, dhe ne kemi gjetur dy palë këpucë të tij”.

“Dje morëm konfirmimin se imazhet termike po tregonin shenja jete deri në pesë njerëz, megjithatë, më është thënë se i vetmi konfirmim i vërtetë i jetës është përmes shikimit, nuhatjes dhe zërit, dhe për fat të keq nuk ishim në gjendje (ta) gjenim Christianin”.

“Kjo është një situatë e vështirë dhe ne u jemi jashtëzakonisht mirënjohës të gjitha ekipeve të shpëtimit turk dhe të huaj, civilëve vendas dhe vullnetarëve për përpjekjet dhe reagimin e tyre në shpëtimin e të mbijetuarve. Megjithatë, kemi nevojë urgjente për më shumë burime, duke përfshirë një përkthyes, në terren”.

“Gjërat po ecin tepër ngadalë dhe si rezultat i kësaj shumë shpëtime po vonohen dhe jetët po humben për shkak të mungesës së burimeve në dispozicion të punëtorëve. Është për të ardhur keq që klubi nuk është në terren me ne, krah për krah, në kërkim të Christianit”, ka thënë mes tjerash agjenti i Atsu.

Prishtina paralajmëron ankesë në shkallën e dytë, pasi sot iu refuzua nga Komisioni i Garave

Doli i pafajshëm nga gjykatat, por Manchester United me dorë të hekurt për Mason Greenwood