Përfaqësuesja e Kosovës e ka mbajtur sot seancën e dytë stërvitore në stadiumin “Fadil Vokrri” në kuadër të grumbullimit për dy ndeshjet e muajit tetor kundër Suedisë dhe Gjeorgjisë për kualifikimet e Botërorit “Katari 2022”.
Për dallim nga stërvitja e djeshme e cila u zhvillua në dy grupe të ndara dhe me intensitet më të ulët, sot futbollistët punuan me intensitet të plotë.
Atmosfera në ekip është mjaft e mirë, derisa lojtarët janë shfaqur me humor të mirë gjatë stërvitjes.
Gjatë kësaj seance përzgjedhësi Bernard Challandes ka punuar më shumë aspektin tekniko-taktik për ndeshjen kundër Suedisë.
Pas stërvitjes për faqen zyrtare të FFK-së ka folur Astrit Selmani i cili ka shfaqur shpresën se ekipi do të vazhdojë me paraqitje të mira edhe në dy ndeshjet e këtij muaji.
“Presim një ekip fizik. Ata janë të fortë në korner dhe goditjet e lira. Kanë një mentalitet fitues si ekip”.
“Jam i gatshëm për lojë dhe për ndeshjen kundër Suedisë. Të gjithë më kanë pritur mirë dhe më lehtë ishte të vij në Kosovë se diku tjetër”.
“Jam krenar që luaj për Kosovën. Në Suedi ka shumë shqiptar dhe besoj se do të vijnë shumë, shpresoj të vijnë sa më shumë”, ka thënë sulmuesi i Hammarbyt Astrit Selmani.
/Gazeta Olle/