Aston Villa pas kosovarit

16-vjeçari me prejardhje nga Kosova, Din Sula, është pranë transferimit te skuadra angleze, Aston Villa. Sula, familja e të cilit vjen nga Pozherani i Vitisë, është anëtar i Leuvenit të Belgjikës dhe javën e fundit është duke u testuar në klubin e njohur nga Birminghami.

Interesimi për të është shtuar shumë kohëve të fundit pas formës së mirë në sezonin aktual në Belgjikë. Ai sivjet ka shënuar 37 gola për skuadrën U17 të Leuvenit. “Daily Mail” raporton se Aston Villa është afër transferimit të Sulës, ndërsa për të janë interesuar edhe disa klube të tjera.

Ai konsiderohet si lojtar i duhur për të përforcuar repartin ofansiv të Aston Villas që sivjet ka shënuar vetëm 13 gola në Premier Ligë. Sula dhe familja e tij kanë vizituar qendrat stërvitore të Aston Villas dhe ishin mysafirë në ndeshjen e fundjavës ndaj Stoke Cityt, të cilën Aston Villa e humbi me rezultat 2:1.