Arsim Thaqi: Tifozët të përgatiten për një Malishevë ndryshe, synojmë pjesën e epërme të tabelës

FC Malisheva po zhvillon përgatitjet e fundit para fillimit të edicionit të ri. Skuadra tash e nëntë ditë po qëndron në Ohër të Maqedonisë së Veriut, ku edhe po zhvillon disa ndeshje miqësore.

Ekipi i Arsim Thaqit ka arritur fitore në dy ndeshje kontrolluese ndaj skuadrave shqiptare. Fillimisht ata mposhtën Skënderbeun 2-0, pastaj fituan edhe ndaj Kastriotit me rezultat të thellë 4-0.

Në lidhje me fazën përgatitore, transferimet e reja dhe pritshmëritë në edicionin e ri, për Gazetën Olle ka folur kryetrajneri i Malishevës, Arsim Thaqi.

“Ne jemi në ditën e nëntë të stërvitjes në Ohër, jemi shumë të kënaqur me kushtet që na i ka ofru hoteli si dhe kushtet e punës. Jam jashtëzakonisht i kënaqur me lojtarët e rinj, të gjithë kanë tregu profesionalizëm të lartë, si në sjellje, po ashtu edhe në stërvitje”, tha fillimisht Thaqi.

Tutje, kryetrajneri i bardhekaltërve vlerësoi lart prurjet e reja në klub, duke theksuar se me ardhjen e tyre objektivi do të jetë pjesa e sipërme e tabelës.

“Transferimet e reja mendoj se do ta rrisin shumë konkurrencën në ekip, këta lojtarë që i kemi marrë përveç eksperiencës shquhen edhe për sjellje sportive, sidomos e vlerësoj shumë karakterin e tyre që të luhet gjithmonë për fitore. Mendoj se transferimet e fundit do t’i ndihmojnë klubit për arritjen e objektivit që është pjesa e epërme e tabelës.”

Thaqi ka besim se skuadra e tij do të jetë shumë stabile në edicionin e ri të elitës së futbollit kosovar.

“Viti i kaluar ka qenë viti i parë për Malishevën në Superligë, ndoshta edhe na ka mungu pak eksperienca por është me rëndësi që jemi prap në Superligë dhe besoj shumë që Malisheva këtë vit do të jetë skuadër shumë stabile në elitën e futbollit kosovar.”

Ai pret që në kuadër të forcimit të klubit, në bashkëpunim me Kuvendin Komunal dhe FFK-në, të përmirësohen kushtet e infrastrukturës sportive në fushën e Malishevës.

“Shpresoj shumë që në kuadër të rritjes së klubit dhe cilësisë së ekipit, do të përmirësohen edhe kushtet sa i perket Infrastrukturës sportive, duke e ditur që vertet kushtet ne fushen e Malishevës, fillimish jane te dëmshme për vetë ekipin tonë, por edhe një pamje jo e mirë, duke e ditur se ndeshjet transmetohen dhe përcillen përveç brenda Kosovës edhe jashtë saj. Pres një bashkëpunim të Kuvendit komunal, FFK-së dhe klubit tonë që sa më shpejt të përmirësohen këto kushte që edhe Malisheva të paktën ta ketë një fushë për zhvillimin e ndeshjeve me kushte optimale.”

Krejt në fund, kryetrajneri i Malishevës ka një mesazh për tifozët e klubit.

“Mesazhi im për tifozët e Malishevës eshte që këtë vit duhet të përgatiten për ekip krejt ndryshe nga viti i kaluar, një ekip më e pjekur dhe me ambicie të qarta”, përfundoi Thaqi për Olle.

Shpëtim Kadriu – Gazeta Olle 

 

Thaqi deklarohet në prag të sfidës me Klasvikun: Nuk jemi favorit por duam kualifikimin tutje, me Shkupin do të ishte ndeshje e fortë

FC A&N prezanton mbrojtësin shqiptar që ka luajtur edhe në Itali