Arsim Abazi flet pas fitores së Kosovës U17 në tokën austriake: Jemi afër kualifikimit, por duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë

Kombëtarja e Kosovës U17 i ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme kualifikimet për Kampionatin Evropian “Izraeli 2022”.

Dardanët e grupmoshës nën 17-vjeç kanë triumfuar në duelin e parë të ciklit kualifikues ndaj mikpritëses së ndeshjeve të Grupit 9, Austrisë, me rezultat 1:0.

Golin e fitores tejet të rëndësishme për Kosovën e realizoi Elton Krasniqi, në minutën e 53-të pas asistimit të David Markut. Ndeshjen e dytë Dardanët U17 e zhvillojnë kundër Sllovenisë, më 9 tetor.

Pas ndeshjes përzgjedhësi Abazi u shpreh i lumtur për nismën e mbarë të këtyre kualifikimeve, por theksoi se ekipi duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë.

“Ishte një lojë shumë e fortë. Austria është ekip shumë cilësor, por ne luajtëm shumë mirë taktikisht dhe arritëm t’i gëzohemi kësaj fitoreje të madhe”.

“Tani jemi shumë afër kualifikimit, por duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe t’i luajmë me disiplinë edhe dy ndeshjet e radhës”.

“I përgëzoj djemtë për këtë fitore dhe besoj se edhe në vazhdim do të luajnë me përkushtim të tillë dhe do t’i dëshmojnë vlerat e tyre”, ka thënë Abazi.

/Gazeta Olle/

Fillim i mbarë, Kosova U17 mposhtë në udhëtim Austrinë

Italia humb pas 37 ndeshjeve, Spanja në finale të Ligës së Kombeve