Arsenali merr fitore spektakolare ndaj PSV Eindhoven

Arsenal e ka nisur me këmbë të mbarë aventurën e tyre në Ligën e Kampionëve, teksa kanë mposhtur ekipin holandez me rezultat të thellë 4-0.

Vendasit kaluan në avantazh që në minutat e parë të ndeshjes  më saktësisht në minutën e 8-të, nëpërmjet Bukayo Sakas i cili u gjend në vendin e duhur në kohën e duhur për t’ia dhuruar ekipit të tij epërsinë prej 1-0.

Ata nuk u ndalën pas këtij goli të shënuar, dhe e gjetën rrugën e rrjetës përsëri kësaj radhe me Leandro Trossard i cili me një goditje të fuqishmë në cepin e djathtë të portës kundërshtarë arrin të shënojë për 2-0.

Pak çaste pa përfunduar pjesa e parë, Gunners arrijnë të shënojnë për 3-0, kësaj radhe me brazilianin Gabriel Jesus, i cili shfrytëzon një asistim të bukur nga belgu Trossard.

Me këtë rezultat (3-0) përfundon edhe pjesa e parë e takimit.

Në pjesën e dytë mysafirët ishin pothuajse të dorëzuar për shkak të rezultatit të lartë, dhe Arsenali e pati kontrollin total të ndeshjes.

Fillimisht, Jesus pati një rast të artë shënimi në minutën e 62-të, por goditja e tij përfundon afër shtyllës së majtë të kundërshtarëve.

Golin e katërt dhe të fundit në këtë ndeshje, e shënoi kapiteni Martin Odegaard në minutën e 70-të të takimit.

Deri në fishkëllimën e fundit të gjyqtarit,të dyja ekipet patën rastet e tyre për shënim por rezultati mbeti i paprekur dhe kështu Arsenal mori fitoren e parë pas më shumë se gjashtë vitesh mungesë në këtë kompeticion.

RTSH po qëndron në Ferizaj, po realizon dokumentar për Ylber Ramadanin

Spektakël me shtatë gola të shënuar, Bayerni mposht Manchester Unitedin