Arritje e jashtëzakonshme nga Armend Thaqi, falënderon Zotin

Ylli i FC Prishtinës, Armend Thaqi, tash e dy vite e gjysmë, nuk mungon në asnjë ndeshje të Prishtinës. Kapiteni i skuadrës ‘bardhekaltër’ nuk di për lëndime. Futbollisti kosovar rrëfehet në një intervistë për gazetën “Zëri”

Kapiteni i Prishtinës, Armend Thaqi, është një ndër futbollistët më cilësor që aktivizohet në futbollin e Kosovës.

Futbollisti i cili aktivohet si mbrojtës i djathë, ka lëshuar “rrënjë” në përbërjen e parë të Prishtinës. Në një intervistë për gazetën “Zëri”, Thaqi ka zbuluar se tash e dy vite e gjysmë , nuk mungon në asnjë ndeshje të Prishtinës.

“Tash e dy vjet kam zhvilluar të gjitha ndeshjet e plota nga 90 minuta. Së pari falënderimi i takon Zotit që nuk kam pasur probleme me lëndime dhe këtë shifër e kam arritur pa pushim. Shpresoj të mos ndalem dhe të vazhdoj me ritmin e njëjtë”, ka deklaruar Armend Thaqi të mërkurën.

Ndonëse me një fillim jo të mirë, FC Prishtina është rikthyer shumë shpejt aty ku e ka vendin, luftën për titullin kampion në futbollin e Kosovës. Skuadra më e madhe në vend e nisi edicionin aktual me Mirel Josën, i cili më pas u zëvendësua nga Bylbyl Sokoli. Aventura e tij te Prishtina nuk zgjati edhe shumë dhe tani FC Prishtinën e drejton Armend Dallku, i cili ndonëse pa përvojë ka arritur ta rikthejë skuadrën në pjesën e epërme të tabelës, saktësisht në vendin e katërt me 31 pikë, tri më pak se lideri Ballkani. Prishtina ndodhet edhe në çerekfinale të Kupës së Kosovës.

Kapiteni i FC Prishtinës, Armend Thaqi, i cili vazhdon të japë kontribut të madh për prishtinasit, është optimist se skuadrën e tij e pret një pranverë e nxehtë.

Optimizmi

27-vjeçari ndër të tjera shfaqet është optimist për synimet e mëdha të FC Prishtinës këtë edicion.

“Nuk e filluam mirë këtë edicion, por pastaj kishim një ecuri të mirë të rezultateve, ku kemi mundur të kemi edhe disa pikë, të cilat i kemi humbur si vendas. Ky ka qenë një stinor, i cili ka shumë skuadra favorite dhe kjo bën që stinori pranveror të jetë shumë i nxehtë”, ka thënë fillimisht Armend Thaqi.

Duke qenë se FC Prishtina ka qenë nën urdhrat e tre trajnerëve këtë edicion – Mirel Josa, Bylbyl Sokoli dhe Armend Dallku, mbrojtësi bardhekaltër ka vetëm fjalë të mira për punët me ta, derisa ai thotë se me këtë të fundit kanë pasur një ecuri të mirë rezultatesh.

“Të gjithë trajnerët që kanë qenë kanë bërë punë të madhe me futbollistët dhe i falënderojmë për punën e bërë. Së pari Josën dhe pastaj Sokolin. Sa i përket trajnerit Dallku, ne e kemi bërë maksimumin si skuadër dhe kemi pasur shumë ecuri të mira të rezultateve. Na pret punë e madhe në pranverë të gjithë neve që jemi në klub”, vlerësoi më tej Thaqi.

Nder dhe krenari

Armend Thaqi është emëruar kapiten i FC Prishtinës në fillim të këtij edicioni, përgjegjësi të cilën ai e mban me krenari.

“Të jesh kapiten i skuadrës më të madhe është përgjegjësi, është detyrë, është privilegj që duhet mbajtur me nder dhe me krenari. Shpresoj se në fund unë dhe bashkëlojtarët të arrijmë atë që kemi synim, titullin kampion”, theksoi Thaqi.

Për fund Thaqi foli edhe për luftën e madhe për titull, duke mos përmendur asnjë rival. “Nuk kisha dashur ta veçoj ndonjë kandidat, sepse të gjithë që jemi lart, kemi kapacitet të luftojmë për titullin deri në fund. Në fund do të vendosin disa detaje të ndeshjeve”, përfundoi Armend Thaqi.

FC Prishtina do të jetë në stërvitje deri më 20 dhjetor, kurse më pas futbollistët do të shkojnë në pushimin dimëror deri në fillim të muajit janar.