Arrestohet kosovari që vodhi familjen e presidentit të Juves

Një 42-vjeçar kosovar është arrestuar në komunën Desenzano del Garda, në provincën e Breshias, në Itali, i akuzuar si një nga autorët e grabitjes në vilën e familjes së njohur italiane Agnelli, pronarë të klubit futbollistik Juventus dhe të shoqërisë së prodhimit të automjeteve të markës “Fiat”.

42-vjeçari kosovar është arrestuar pas një kontrolli rutinë të policisë rrugore italiane. Në makinën e tij është gjetur një orë dore me vlerë 200 mijë euro. Pas verifikimeve të forcave të rendit është vërtetuar se kjo orë i përkiste familjes Agnelli, e rezulton si një nga objektet e vjedhura në këtë vilë .

Në zotërim të shtetasit kosovar janë gjetur gjithashtu dhe çelësat e një banese në qytetin Cinisello Balsamo në provincën e Milanos. Pas kontrollit në këtë banesë policia italiane ka gjetur 18 orë tjera dore e disa monedha ari, të gjitha pjesë e materialeve të vjedhura në vilën Agnelli.

Vila Agnelli është në pronësi të Allegra Agnelli, e veja e sipërmarrësit të njohur italian Umberto Agnelli si dhe nëna e Andrea Agnellit, Presidentit të klubit të futbollit “Juventus”. Kujtojmë që ngjarja ka ndodhur disa ditë më parë.