“Armenia më e fortë se Serbia”

Fitorja historike ndaj Portugalisë, si dhe ndeshja e ndërprerë në Beograd me Serbinë ka bërë që tifozët shqiptarë të presin me pa durim ndeshjen ndaj Armenisë. Lidhur me këtë takim, mbrojtësi kuqezi Ansi Agolli ka theksuar rëndësinë që merr përballja në këto momente të edicionit të kualifikimeve. Në këtë prononcim dhënë “Lajm”, mes tjerash, Agolli flet edhe për pritshmëritë e mëdha që ka ky takim te grupimet e shumta të tifozëve shqiptarë.

“Unë mendoj se ndeshja me Armeninë do të jetë më e vështira deri më tani, ndoshta në anën sportive më e vështirë se ndeshja në Beograd. Kjo, për vetë faktin se na kërkohet fitorja me çdo kusht. Mirëpo, ne duhet ta përgatisim me qetësi këtë takim. Nuk duhet të kemi presion më shumë se sa duhet, përkundrazi, duhet ta përgatisim si një ndeshje të radhës si kundrejt një kundërshtari me kualitete. Le t’i lëmë ëndrrat mënjanë dhe të koncentrohemi vetëm te kundërshtari që kemi më 29 mars. Vetëm kështu mundemi të japim më të mirën tonë”, deklaroi fillimisht Agolli. Ai i çmon lart tifozët e Kombëtares, sidomos grupet e tifozëve “Ballistët” dhe “Shvercerat” nga Maqedonia.

“Po, ata na mbështesin gjatë gjithë kohës dhe jam i sigurt që, po patëm ndeshje edhe në Kinë, ata do të vijnë të na ndjekin, sidomos ‘Shvercerat’ dhe ‘Ballistët’. Madje, jo në Kinë, por edhe në hënë do të vinin për Kombëtaren”, shprehet mbrojtësi kuqezi. Dhe, në fund, duke folur për klubin e tij Karabak. “Deri në këtë moment jemi në rrugën e duhur. Kemi bërë një sezon mjaft të mirë, duke përfshirë edhe pjesëmarrjen tonë në grupet e Europa League, ndërsa në kampionat jemi në vend të parë me 46 pikë, gjashtë pikë larg Baku dhe të tretit Neftçit. Po ashtu kemi hedhur një hap mjaft të rëndësishëm për të arritur në gjysmëfinale të Kupës, duke fituar 3 me 0 kundrejt FC Baku”, tregon Agolli, i cili ndihet mirë te Karabak, me të cilin ka kontratë deri në fund të këtij sezoni. Në renditjen e Grupit I eliminator Shqipëria zë vendin e tretë me katër pikë nga dy ndeshje, ndërsa kryeson Danimarka me shtatë pikë nga katër ndeshje.