Armend Thaqi largohet i përmbushur nga futbolli kosovar

Armend Thaqi flet me shumë pasion për të kaluarën e tij. Por edhe më me emocion flet për atë që e pret. E ardhmja e tij është larg Kosovës. Në Rumani. Si 31-vjeçar madje.

Thaqi shpejt do t’i bashkohet skuadrës së re, Cluji. Por para se të nisë përgatitjet me një prej klubeve që synon trofe në Rumani, Thaqi të dielën ka rrëfyer karrierën e tij të gjatë në Kosovë.

Rrëfimin për të kaluarën e tij plot 21-vjeçare në skenën e futbollit zgjodhi ta bëjë në stadiumin “Agron Rama” në Obiliq.

“Sot kur po vij të flas për të kaluarën time këtu është ndjesi e veçantë, pasi jam fëmijë i këtij stadiumi, i këtij qyteti”, tha Thaqi, i cili kujton se golin e parë në karrierë si senior e ka shënuar në stadiumin “Agron Rama”. Ai tregon se rreth tetë kilometra është dashur si fëmijë t’i bëjë në këmbë për të vijuar stërvitjet.

Thotë se sakrifica dhe puna e bërë për dy dekada i janë shpaguar.

“Tash që ka ardhur kjo mundësi është një punë shumëvjeçare që po shpaguhet. Ka pasur fjalë që është lojtar në moshë, është e pamundur, pasi kërkohen lojtarë shumë të rinj, mirëpo sot futbolli nuk njeh moshë, a je 18 apo 30-vjeçar”, është shprehur Thaqi.

Karriera e Armend Thaqit nisi 21 vjet më herët, te klubi KEK-u. Ai tregon se ka kaluar nëpër shumë sfida. Por thotë se nuk është dorëzuar kurrë.

“Kurrë nuk jam thyer aty, kam thënë se nuk do të thyhem asnjëherë në futboll. Një vit pa zhvilluar asnjë ndeshje te juniorët, ka qenë e vështirë. Por kur është ndërruar gjenerata, mendoj se kam bërë hapin tutje. Jam bërë kapiten i juniorëve dhe jemi bërë kampionë me juniorë. Trajner atëbotë ka qenë Mentor Miftari”, kujton lojtari i krahut të djathtë.

Ai tregon dëshpërimin e shumë bashkëmoshatarëve. Edhe për Thaqin ishte dëshpëruese. Por thotë se kishte pritur momentin e tij.

“Ishte shumë dëshpëruese, pasi kemi qenë në një moshë që preken shumë. Ka pasur lojtarë që sot nuk merren fare me futboll”.

Thaqi kishte bërë mirë që nuk mori rrugën e bashkëmoshatarëve. Ai dëshmoi vlera të mëdha gjatë paraqitjes me skuadrën e KEK-ut në Superligë, atëbotë pa ambicie të mëdha.

“Kemi bërë gara në Superligë, kemi bërë gara të mira, por ka qenë e vështirë mbijetesa për shkak se në skuadër kishte edhe të gjeneratës së re, pasi KEK-u ishte në krizë financiare”, ka treguar futbollisti.

Mst: Kupa me Prishtinën, titujt me Ballkanin

Pas periudhës së kaluar te KEK-u, mbrojtësi i krahut të djathtë në vitin 2013 iu bashkua Hajvalisë, atëbotë e drejtuar nga trajneri Bekim Isufi. Pas ndalesës gjashtëmujoreshe te Hajvalia, Thaqit iu hap një derë e madhe nga klubi me më së shumti trofe në vend, Prishtina.

“Te Hajvalia ka qenë trajner Bekim Isufi. Gjashtë muaj kam qëndruar te Hajvalia, ku përfunduam në pozitën e katërt. Pastaj me kërkesë të Afrim Tovërlanit në vitin 2013 shkova te Prishtina. Aty kam qenë për tre vjet. Kupën e kemi fituar, pastaj dy vjet te Gjilani, po ashtu Superligë. Edhe në Gjilan kam kaluar mirë dhe kam ndjesi të mirë për atë qytet”, thotë futbollisti punëtor.

Thaqi bëri rikthim te Prishtina, e drejtuar atëkohë nga Mirel Josa. Me Prishtinën, si kapiten ngriti trofeun e Kupës. Por titull nuk ia doli të fitonte.

“Pastaj një organizim i mirë i klubit Ballkani ka bërë që të jem nga viti 2020 deri tash pjesë e ekipit nga Suhareka. Trofetë e fituar flasin vetë. Jemi tri herë kampionë, kemi fituar kupën, dy herë Superkupën. Në aspektin personal jam zgjedhur dy herë Futbollisti i Vitit në Kosovë. Tetë vjet radhazi jam pjesë e formacionit si mbrojtësi më i mirë i krahut të djathtë. Ky ka qenë rrugëtimi im deri tash në Superligë”.

Ai e ndan në disa periudha rrugëtimin për të cilin thotë se është i kënaqur dhe krenar.

Mst: 50 euro, pagesa e parë që mori nga futbolli

Armend Thaqi është i lumtur që ka bërë krenar familjen e tij, në veçanti babanë, për të cilin thotë se ndoshta është personi më i lumtur për kalimin nga Ballkani te Cluji.

Thotë se kurrë nuk e kishte humbur besimin se një ditë do ta vazhdonte karrierën jashtë Kosovës.

“Tash jam 31-vjeçar dhe normal që po të thosha se do të vazhdoja karrierën diku jashtë Kosovës në moshën 31-vjeçare është e pamundur të besosh, pasi është e vështirë, por asnjëherë nuk jam dorëzuar. Të gjithë e dinë se jam një karakter që nuk dorëzohem asnjëherë”, ka thënë ai.

Ai zbulon se 50 euro ka qenë pagesa e parë që kishte marrë nga futbolli.

“Kur kam qenë në ekipin e KEK-ut, në atë kohën kur kemi dalë nga juniorët, nuk ka qenë rrogë, por premi për barazimin ndaj Lirisë, nëse nuk gabohem. Premia e parë ka qenë 50 euro. Ato të kanë bërë të ndihesh mirë. Ajo ka qenë shuma e parë që e kam marrë nga futbolli”.

Pas paraqitjeve të mira në vitet e fundit nuk ka munguar edhe ftesa nga Kosova, por rrallë. Që prej vitit 2017 ka luajtur pesë ndeshje. Pret të ftohet sërish.

“Jam futbollisti i parë i Superligës që ka bërë ndeshje në gara zyrtare për Kosovën në Ligën e Kombeve. E kam pritur të jem pjesë e Kombëtares pas gjithë atyre sukseseve. Ëndrra e një futbollisti është ta veshë fanellën e vendit, sidomos që jam rritur në Superligën e Kosovës. Nuk jam dorëzuar asnjëherë. Jam futbollisti i parë nga Superliga që kam luajtur për Kosovën në gara evropiane, golin e parë me Ballkanin kundër Clujit e kam shënuar në Prishtinë. Goli im ndaj Sivassporit është zgjedhur goli i javës, mbrojtësi me më së shumti gola dhe asistime në fazën e grupeve. Janë këto gjëra që të bëjnë krenar”, ka deklaruar mbrojtësi i krahut.

Ai tani është gati për sfidën e re.

“Mund të them lirisht i kompletuar, i plotësuar 100 %.  Të gjitha që i kam arritur, i kam arritur me mund dhe djersë. Po largohem i kompletuar, shpresoj të kthehem edhe më i kompletuar nga skuadrat ku do të bëj karrierë jashtë”, thotë Thaqi.

Ai po e përfundon si triumfues një kapitull që e shndërroi në emër të rëndësishëm të futbollit kosovar.

Kryetari i Feronikelit ’74 flet pasi skuadra e tij mbeti në barazh

Duka: Bashkëpunimet sportive janë të rëndësishmet, luftat nuk janë në filma