Armend Dallku analizon Shqipërinë: Suksesi nuk është rastësi, do të veçoja Berishën, Gjimshitin dhe Ramadanin

Nga komuniteti i futbollin tonë, kush tjetër përpos Armend Dallkut do të mund të fliste më me kompetencë për Kombëtaren e Shqipërisë, fanellën e të cilës e ka djersitur për 64 ndeshje dhe futet në mesin e lojtarëve me më shumë paraqitje.

Ish mbrojtësi i djathtë i kuqezinjve, tani trajner te Dukagjini i Klinës, në një intervistë për Telegrafin, ka folur për ecurinë fantastike të Shqipërisë, gjërat që bëjnë diferencën dhe shumë gjëra të tjera.

“Të them të drejtën nuk i kemi pritur rezultatet e Shqipërisë deri në këtë masë, por kjo na bën krenarë të gjithëve. Duke pasur parasysh që është krijuar një grup shumë homogjen, me një trajner të ri dhe energjik, po shpresojmë të ketë vazhdimësi në këto dy lojë dhe ta sigurojmë sa më parë kualifikimin për në Gjermani”, ka thënë fillimisht Dallku.

Ai ka thënë se ky ekip aktuali mund që quhet si më i miri në histori të Shqipërisë, ndërsa këtë e bazon edhe me rëndësinë e lojtarëve në klubet e tyre.

“Duke pas parasysh që të gjithë rreth ekipit, trajneri, kryetari, federata, të gjithë janë në një linjë, normalisht mund të themi që është ekipi më i fortë. Këtu fut që konkurrenca shumë e madhe brenda për brenda grupit, duke marr parasysh që për një pozitë kemi dy apo tre lojtarë që luftojnë. Nuk është sikurse në të kaluarën që kishim shumë vështirë për ta bërë një grup që kishin minutazh loje, ndërsa tash ndodh e kundërta, të gjithë tani janë lojtarë standard nëpër ekipet e tyre dhe kjo a bërë që ekipi të rritet dhe të kërkohet maksimumi. Këtu duhet të falënderohet edhe FSHSF me në krye Armand Dukën që ka krijuar kushte super, super të mira, duke filluar nga infrastruktura, stadiumi pritja dhe çdo gjë tjetër. Në atë stadium po krijohet atmosferë fantastike”, ka nënvizuar Dallku.

Ish futbollisti i Vorslkas ka bërë edhe dallimin mes e ekipit të Shqipërisë që luante vet dhe këtij aktual

“Edhe ne kemi pasur të gjithë lojtarët që kanë qenë eminente dhe pjesë e ekipeve me nam evropiane, por nuk kemi pasur një grup prej 20 deri në 25 lojtarë siç është tash. Kjo na ka penalizuar shumë herë, duke pas parasysh që kemi pasur lojtarë jashtë formë dhe lojtarë që kanë qenë në ekipe të mira, por kanë pasur pak minutash, pra nuk e kemi pasur atë boshtin prej shumë lojtarëve, siç është tani. Kur kishim dëmtime dhe kartonë zgjidhjet ishin më të pakta. Trajnerët kishin vështirësi të zgjidhnin një 18-she siç ka qenë atëherë për t’iu përgjigjur eliminatoreve të Kampionatit Evropian apo Botëror. Këtë grup pra të veçantë e bën numri i madh i lojtarëve që ka, sepse konkurrenca është rritur shumë. Kësaj shtoja edhe investimet që janë bërë përreth ekipi. Për atë kohë edhe ne e kemi bërë aq sa kemi mundur, por kushtet nuk kanë qenë siç janë tash, por e kemi bërë maksimumin. Stadiumi është perfekt një arenë që do ta kishte lakmi që secili nga ne që luanin në atë kohë do të donte të luante në atë stadium”, deklaroi tani trajneri.

Tutje Dallku veçoi tre lojtarët që i kanë pëlqyer më shumë në këto eliminatore deri më tani.

“Grupi po paraqitet shumë mirë dhe secili repart ka liderët e vetë, duke filluar nga porta ku punë shumë të mirë është duke bërë Berisha, pastaj në vijën e fundit në mbrojtje kemi Gjimishti, i cili ka një gjakftohtësi dhe është shumë i matur dhe organizon shumë mirë këtë repart. Në mesfushë kemi Ramadani i cili po vrapon shumë, por kryen punë në të dyja repartet dhe është asistues dhe vendimtar në shumë momente. Për mua Ramadani është një nga lojtarët kyç. Sa i përket fazës së sulmit të gjithë i kanë meritat pasi po shënojnë të gjithë si Seferi, Asani, por edhe Cikalleshi po bën punë të madhe. Duke mos anashkaluar golat e bukur që po shënon Asani dhe rëndësinë e tij në ekip, sipas meje Berisha, Gjimshiti dhe Ramadani janë lojtarët më të mirë deri më tani”, analizon trajneri vushtrrias.

Se a do të jenë vendimtar te Shqipëria, Armando Broja dhe Marash Kumbulla, këtë gjë e tregon Dallku.

“Kumbulla dhe Broja do të jenë një armë shtesë për ekipin kur të rikthehen, mirëpo një gjë që po më pëlqen te ky ekip, nuk është individi, por grupi, gjë që e kemi vuajtur ne në të kaluarën, pasi si kishim një mungesë apo dy, kishim probleme. Individi tani është në plan të dytë dhe kjo është meritë e FSHF-së dhe trajnerit. Broja dhe Kumbulla do të jenë një armë shtesë, por ekipi nuk e ka pasur problem të ketë suksese edhe pa të dy. Gjithçka do të jetë në dorën e trajnerit. Më pëlqen Sylvinho që nuk bazohet te individët, por te forma dhe kjo po i rikthehet mirë me sukses, gjë që nuk është rastësi”, përfundoi Dallku.

Shqipëria do të luajë në nëntor ndeshjet me Moldavinë dhe Ishujt Faroe për të siguruar kualifikimin në Euro 2024. /Gazeta Olle/

Trepça vazhdon rrugëtimin në Kupën Evropiane

Sara Gjergjaj synon ta udhëheq Kosovën drejt Botërorit