Nga ambientet e stadiumit Air Albania, presidenti i FSHF, Armand Duka ka dalë ditën e sotme në konferencë për shtyp teksa ka folur për çështjen Armando Broja në sfidën me Anglinë, ndërsa skuadrës i ka vendosur notën 8.
“Notë për kombëtaren? Në futboll edhe fituesi i Kupës së Botës nuk merr 10, është e vështirë se vlerësimet janë subjektive. Por, me bindje nga 1-10, do t’i vendosja 8”.
“Ne kemi filluar një projekt me stafin për të ndërtuar ekipin kombëtar, Reja është kryetrajner. Pastaj është edhe përgatitësi fizik që është drejtor i këtij departamenti që ne na ka munguar më parë, këtë e kemi filluar me Febrari që është pjesë e stafit të Rejës”.
“Po ashtu edhe me doktorët e kombëtares, është një projekt që nuk mund të ndërpritet. Nuk i marrim dot frytet për një vit, kjo kontratë përfundon në nëntor të vitit 2022 dhe kemi kohë”.
“Edhe në një familje ka debate, apo konflikte dhe kështu ndodh edhe me kombëtaren. Janë grumbulluar shumë futbollistë dhe në ndonjë rast ka debate, por ndonjëherë kur nuk je i lumtur është edhe mirë sepse ka ego. Kemi një ekip shumë të mirë, mendoj se kemi çuna të seleksionuar dhe janë të disiplinuar”.
“Nuk ka një trajner apo president që nuk bën më të mirën, Broja nuk ishte me Anglinë sepse ishte i dëmtuar. Broja i është bashkuar skuadrës vetëm një ditë para ndeshjes dhe atë ditë është stërvitur i diferencuar”, u shpreh Duka.