Debutoi në ndeshjen kundër Dukagjinit dhe tregoi një paraqitje mbreslënëse.
Portieri i Lirisë, Arlis Shala me pritjet e tij ishte njëri nga lojtarët më meritorë që skuadra prizrenase arriti të arkëtojë një pikë në xhiron e tretë të Superligës së Kosovës.
23-vjeçari erdhi te ekipi prizrenas gjatë kësaj vere, pas një aventure të kaluar te skuadra e Drenicës.
Shala në futbollin kosovar ka bërë karrierë edhe te Llapi, ndërsa në futbollin shqiptar ka luajtur për skuadrat si Kastrioti, Luftëtari, Besa dhe Teuta.
Gardiani nga Shqipëria për Kanal10 deklaroi se e kanë nisur mbarë sezonin dhe shpresojnë që të performojnë sa më mirë edhe në ndeshjet në vazhdim.
“Fillimi sezonit po na shkon shumë mirë, kemi punuar shumë me trajnerin dhe nga kjo po na vijnë dhe paraqitjet e mira këto ndeshje në fillim të kampionatit”, tha fillimisht Shala.
Portieri nga Durrësi tha se është i kënaqur me paraqitjen kundër Dukagjinit dhe shpreson se të vazhdojë me performanca të mira edhe në përballjet në vazhdim.
“Jam shumë i kënaqur me ndeshjen që zhvillova kundër Dukagjinit. Synimi im është që të vazhdoi të tregoj performanca të mira edhe në ndeshjet në vazhdim”, shtoi ai.
23-vjeçari tutje foli edhe për dallimet mes futbollit në Kosovë dhe atij në Shqipëri.
“Përveç infrastukturës nuk ka asnjë ndryshim mes futbollit ne Shqipëri dhe atij në Kosovë sepse në vitet e fundit ka pasur një rritje shumë të madhe në Kosovë”, tha ai.
Gardiani nga Durrësi më parë kishte qenë pjesë e kombëtares U21 të Shqipërisë.
Skuadra e tij Liria pas tri ndeshjeve në Superligën e Kosovës këtë edicion ka grumbulluar dy pikë dhe renditet në pozitën e shtatë në tabelë.