Ardian Nuhiu: Jam i lumtur me arritjen e Dritës, sonte më pëlqeu qasja e futbollistëve!

Ardian Nuhiu është shprehur i lumtur me arritjen e Dritës deri në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Evropës.

Trajneri i Dritës përgëzoi futbollistët për arritjen deri në këtë fazë, përcjellë Gazeta Olle.

“Jam krenar me ekipin tim. Ne kemi arritur deri në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Evropës”, theksoi Nuhiu.

“Është suksesi më i madh për futbollin kosovar. Sonte jemi takuar me një ekip të fortë si Legia”.

“Ne kemi humbur, por unë jam i lumtur me qasjen e lojtarëve të mi”, tha ai.

Në anën tjetër, duke folur pas ndeshjes në konferencën për shtyp, trajneri i Legias, Czeslaw Michniewicz, theksoi që në disa momente i pëlqeu loja e skuadrës së tij e në disa momente jo.

“Ne bëmë atë që duhej të bënim dhe kaluam në raundin tjetër. Disa herë kemi luajtur ashtu sic doja unë, por kishte shumë momente për të cilat duhet të punojmë shumë”, deklaroi Michniewicz.

“Kishim pak kohë për t’u përgatitur dhe tani duhet të punojmë edhe më shumë para ndeshjes së play-offit”.

“Më pëlqen dinamika në lojë, më shumë lëvizje në ndërtimin e lojës dhe pas humbjes së topit”.

“Kishim momente të mira. Ne e incizuam ndeshjen me tri kamera, kështu që kemi material për të analizuar”, shtoi trajneri i Legias.

Në “play-off”-in e Ligës së Evropës, Legia takohet me skuadrën Qarabag. /Gazeta Olle/