Ardian Kozniku largohet nga Shkëndija e Tetovës

Ardian Kozniku nuk është më trajner i Shkëndijës së Tetovës. Ai është ndarë me klubin pas marrëveshjes së dy anshme.

Lajmi bëhet i ditur nga gazeta Lajm në Maqedoni, transmeton Gazetaolle.com.

Ndarja me Koznikun ka ardhur si pasojë e ecurisë dhe rezultateve të skuadrës, që nuk janë në paralele të njëjtë me ambiciet, investimet dhe fondin e futbollistëve që posedon Shkëndija. Veçanërisht humbja e fundit 1-0, në derbin e Tetovës ndaj Teteksit të vendit të fundit, ndeshje e cila është transmetuar për të gjithë shqiptarët nëpërmjet Supersportit të platformës televizive Digitalb, jo vetëm që nuk është përtypur nga drejtuesit e Shkëndijës, por edhe ka përshpejtuar ndërprerjen e këtyre marrëdhënieve, të vendosur në fillim të sezonit në vijim.

Kryesia e KF Shkëndija ka falenderuar Ardian Koznikun për kontributin e dhënë në skuadër dhe në kohë të njejtë ka vendosur që pankinën në vazhdim të sezonit t’ia besojë Jeton Beqirit. Ndihmësi i deritashëm i Ardian Koznikut, por edhe trajnerëve paraprakë Roy Ferençina dhe Shpëtim Duro, vlerësohet si njeriu i duhur për të udhëhequr ekipin.

Për Beqirin kjo nuk do të jetë hera e parë që do të drejtojë si kryetrajner një skuadër, pasi paraprakisht sukseset e arritura me ekipe si Drita dhe Gostivari, ishin arsyet që Shkëndija ta ofrojë në radhët e saj. Debutimi i Beqirit si trajner i parë i Shkëndijës do të jetë në ndeshjen e javës së 22-të në transfertën me Sileksin në Kratovë.