Ardian Ismajli konfirmon ofertat nga dy klubet e mëdha, njëra e ‘Championsit’

Ardian Ismajli po kalon një moment shumë të mirë në kampionatin kroat me Hajduk Splitin duke qenë titullar i padiskutueshëm.

Pak ditë më parë, ai u përzgjodh edhe në formacionin e vitit në Kroaci dhe natyrisht për të është një vlerësim shumë i madh.

Në një intervistë për VipSport.al Ismajli foli në lidhje me këtë vlerësim të dhënë në Kroaci.

Emri i tij po lakohet shumë në merkato dhe në Itali janë Bolonja e Atalanta që interesohen për mbrojtësin e Kombëtares, teksa diçka të tillë e ka konfirmuar edhe vetë Ismajli.

Natyrisht, duke qenë një nga futbollistët me më shumë minuta në eliminatoret e Europianit, Ismajli u ndal edhe te Kombëtarja dhe mundësitë për një kualifikim në Botëror.

Ardian para pak ditësh u përzgjodhe në formacionin e vitit në Kroaci. Si ndihesh?
Përzgjedhja në formacion të vitit me motivon jashtëzakonisht shumë që të angazhohem edhe më shumë për një karrierë të bujshme në të ardhmen.

Duke qenë se jemi në emocionet e merkatos së janarit, a pritet ndonjë lëvizje nga Ismajli?
Natyrisht jam në emocione te mëdha duke parë se shumë klube te mëdha janë të interesuara për mua.

Cili është kampionati në të cilin doni të luani në të ardhmen?
Si çdo futbollist që i ëndërron ligat më të forta Europiane, Bundesligë, Serie A, Premier League e La Liga.

Pak ditë më parë emri juaj u lakua në merkato për transferim te Atalanta e Bolonja. Çfarë mund të na thuash për këto zëra?
Po është e vërtetë për interesimin e Atalantës e Bolonjës. Por, mund të them se ka edhe disa klube nga Seria A, Bundesliga, La Liga, Premier League dhe disa liga tjera që kanë shpreh interesim për mua.

Të kthehemi pak te Kombëtarja. Si do e përkufizoje 2019 për Kombëtaren?

Për mendimin tim do ta kisha vlerësuar si të suksesshme edhe pse kam pritur më shumë.

Cili ka qenë momenti më i bukur?
Momenti me i bukur për mua ka qenë fitorja kundër Islandës.

Po më i hidhuri?
Momenti më i hidhur ka qenë humbja kundër Turqisë sepse vërtetë kemi bërë lojë të bukur.

I paprekshëm me Edi Rejën. E prisje këtë ecuri?
Të them të drejtën duke parë formën qe jam duke kaluar e kam pritur këtë besim nga Reja.

Sa besim keni për një kualifikim në Botëror?
Duke parë që futbollistët e Kombëtares janë duke bërë paraqitje shumë të mira nëpër ekipet e tyre na jep shumë shpresë se do të kualifikohemi.