Empoli i shqiptarëve është një nga surprizat e kampionatit italian. Në këtë sezon të Serisë A ka arritur rezultate të jashtëzakonshme dhe sigurisht që kontributi i futbollistëve kuqezinj është i rëndësishëm.
Nedim Bajrami është ai që shpesh rrëmben skenën me golat dhe me asistet, por ndeshjet nuk fitohen pa kontributin e mbrojtësve. Ardian Ismajli ka bërë mjaft mirë sa herë që trajneri Andreazzoli e ka aktivizuar.
Në një reagim për “Oversport” mbrojtësi i kombëtares shqiptare është pa fjalë për këtë moment fantastik të skuadrës së tij. Nuk iu beson syve për atë që Empoli po bën, por e di shumë mirë që puna në fund shpërblehet.
“As vetë nuk e kemi pritur këtë sukses, por kjo që po bëjmë është në limitet e fantazisë. Po ecim shumë mirë në këtë sezon dhe kemi marrë rezultate pozitive. Duhet të punojmë dhe të mos ndalemi sepse kampionati është i gjatë dhe na presin ndeshje të tjera shumë të vështira. Duhet të sigurojmë sa më shpejt mbijetesën, pastaj të shohim se çfarë mund të bëjmë”, ka thënë Ismajli.
ECURIA– Pas 17 javësh të luajtura në kampionatin italian, Empoli ka 26 pikë, një më shumë sesa Lazio dhe 2 më pak se Juventusi. Në 4 ndeshjet e fundit ka siguruar 3 fitore dhe 1 barazim. Pa harruar që këto fitore i kanë arritur ndaj Napolit dhe Fiorentinës.
Për më tepër skuadra e shqiptarëve siguroi kualifikimin në raundin e ardhshëm të Kupës së Italisë. Ismajli krenohet për faktin që skuadra si Napoli apo Juventusi nuk i kanë shënuar Empolit.
“Është diçka e madhe. Me Juventusin nuk pësuam, me Napolin gjithashtu. Kjo që po bëjmë do të mbetet në histori. Jam shumë i lumtur për këtë”, përfundoi Ismajli në deklaratën e tij për “Oversport”.