Një nga klubet më simpatike në Kosovë që fitoi respektin e shumë tifozëve që nga viti i kaluar është padyshim KF Arbëria e Dobrajës së Lipjanit.
Arbëria sezonin e kaluar u inkuadrua në Superligë për herë të parë në histori të klubit dhe nisi mirë sezonin, por në fund nuk ia doli të mbetet në elitën e futbollit kosovar, duke u rikthyer në Ligën e Parë. Në sezonin 2021/22, KF Arbëria po garon në Ligën e Parë, grupin B.
Fillimisht ekipi nuk e startoi mirë sezonin, ku kishte rezultate negative, megjithatë pas ardhjes së trajnerit Megzon Visoka dhe Arsim Tershani, klubi u këndell dhe filloi të ngjitej në tabelë.
Në sezonin dimëror, Arbëria filloi të merrte rezultate pozitive falë punës së stafit teknik dhe lojtarëve, andaj u ngjit në vendin e tretë në tabelë, ku mbylli pjesën e parë të edicionit me vetëm tri pikë larg nga vendi i parë, duke aspiruar sërish rikthimin në Superligën e Kosovës.Megjithatë, kur dukej se gjithçka po shkon mirë, klubi mori lajmin më të keq të mundshëm.
GazetaBlic Sport mëson se kryesia e klubit me në krye presidentin Jahir Krasniqi janë larguar.
Klubi i Arbërisë funksionon si OJQ, me Krasniqin që deri tani ka qenë donatori kryesor dhe njeriu që ka ndihmuar më së shumti klubin duke financuar jashtëzakonisht korrekt.Siç mëson gazeta, Jahir Krasniqi tentoi të privatizojë klubin, gjë kjo e cila u kundërshtua nga banorët e fshatit Dobrajë, Komuna e Lipjanit.
Ata kundërshtuan blerjen e klubit nga ai dhe kështu filluan problemet që çuan në largimin e donatorit kryesor nga klubi simpatik.Tashmë, problemet e mëdha për Arbërinë kanë filluar dhe klubi rrezikon shumë.
GazetaBlic Sport poashtu mëson se futbollistët e Arbërisë nuk kanë marrë paga qe dy muaj dhe tashmë 90% e tyre kanë kërkuar largimin nëse nuk zgjidhen problemet. Disa nga lojtarët kyç kanë kërkuar fletë-lëshimet dhe tashmë Arbëria po rrezikon shumë që pjesën e mbetur të sezonit të luajë pa lojtarët që kanë arritur sukseset këto muajt e vitet e fundit me skuadrën.
Ditët e ardhshme pritet një takim mes kryesisë së fshatit, ku do të diskutohet për hapat e mëtutjeshëm që do të merren në lidhje me problemet e kolapsimit të Arbërisë.