Sulmuesi shqiptar, Arbër Hoxha u largua nga skuadra e Ballkanit dhe nga Superliga e Kosovës në korrik të këtij viti që po e lëm pas, për ta vazhduar karrierën në Kroaci tek skuadra elitare e Lokomotiva Zagrebit.
Në një intervistë për Insportin, anësori shqiptar ka treguar lidhur me ambientimin në Kroaci dhe stërvitjet atje.
‘Të them të drejtën në javët e para ishte pakësa e vështirë derisa u ambientova me ritmin këtu, pastaj nuk e kam pas fare problem dhe ndihem shumë mirë’ – tha Hoxha.
‘Normal që ka dallim në stërvitje sepse infrastruktura është më e mirë dhe të lejon të bësh stërvitje më mirë dhe të përgatitesh nga ana fizike.’ – shtoi më tutje ish futbollisti i Ballkanit.
20 vjeçari bëri të ditur se nuk ka ndonjë dallim sa i përket cilësisë së futbollistëve në mes të dy vendeve, Kosovë – Kroaci.
‘Në organizim ka dallim tejet të madh dhe punohet me profesionalizëm të lartë, sa i përket cilësisë nuk ka dallim sepse e dimë që Kosova prodhon talenta të mëdhenj’ – shtoi Hoxha.
Se zhvillimi i karrierës në një vend të largët është e vështirë e thotë edhe vet Arbri, i cili thekson se: ‘Është e vështirë të jetosh larg nga familja dhe shoqëria por këtë e ka futbolli, duhet të jesh profesionist’ – tha Hoxha më tutje shtoi se shqiptarët e Lokomotivës, Salihu, Çokaj e Jon Mersinaj e kanë pritur shumë mirë.
‘Po, është e vërtete që jemi shumë shqiptarë brenda klubit dhe më kanë pritur shumë mirë, gjë që se kisha menduar se do të ishte kështu, shumicën e kohës e kalojmë së bashku’ – tha Hoxha.
Sa ishte pjesë e Kosovës, Arbër Hoxha ka shënuar 21 gola në 98 ndeshje në Superligën e Kosovës dhe edhe pas shkuarjes në Kroaci ai tha se i përcjell ndeshjet.
‘Pothuajse të gjitha ndeshjet i përcjelli në Superligën e Kosovës, sepse jam krenar nga çfarë lige kam dalë. Më shumë e përcjelli Ligën e Kosovës së ndonjë ligë tjetër të Evropës. Po mendoj që për titull kampion janë Ballkani, Gjilani, Drita dhe Prishtina, pse jo edhe Drenica, e cila po luan një futboll të bukur’ – përfundoi ai.
Me klubin kroat, Hoxha deri më tani ka 6 paraqitje, 2 në ndeshjet për Kupë dhe deri më tani ka vetëm një asistim.
Ndryshe, karriera e Arbër Hoxhës ka filluar tek skuadra e vendlindjes së tij Istogut, derisa ka vazhduar pastaj edhe te Prishtina dhe Ballkani.
Hoxha ka kaluar nëpër të gjitha grupmoshat e Kosovës dhe ka debutuar edhe me Përfaqësuesen A, ku luajti në ndeshjet miqësore ndaj Suedisë në janarin e vitit të kaluar si dhe këtë vit ndaj Guineas dhe Gambisë ku shënoi edhe një gol të mrekullueshëm.