Arben Krasniqi, emërohet drejtor teknik në FBK

Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) më 17.09.2020 e ka emëruar Arben Krasniqin në pozitën e drejtorit teknik (Drejtor i programeve të basketbollit) në Federatën e Basketbollit të Kosovës.

Përgjegjësitë kryesore të drejtorit teknik të FBK-së do të jenë: Të menaxhojë Programin Nacional të Certifikimit të Trajnerëve për FBK dhe SHTBK; Të zhvillojë dhe menaxhoj programin e trajnimit të trajnerëve të FBK-së; Të menaxhojë Qendrën Nacionale të Basketbollit dhe Akademitë e Basketbollit të krijuara në kuadër të kësaj qendre; Të koordinojë dhe menaxhojë të gjitha aktivitetet e shkollave dhe universiteteve për FBK-në; Të koordinojë dhe menaxhojë Kampin Nacional të FBK-së për gjeneratat e reja.

Ndërkaq drejtori teknik i FBK-së do të jetë përgjegjës për zhvillimin dhe menaxhimin e pjesëmarrjes dhe të gjitha programeve të FBK-së, si dhe shërbimeve me përgjegjësi në fushën e: Zhvillimit të trajnerëve; zhvillimit të lojtarëve; Qendrën Nacionale të Basketbollit; zhvillimin e akademive të basketbollit; masivizimin dhe promovimin e minibasketbollit në të gjitha regjionet e Kosovës.

Arben Krasniqi, ish-basketbollist dhe ish-përzgjedhës i Kosovës A, e ushtron zejen e trajnerit prej vitit 2003, ndërsa ka të përfunduar disa trajnime për trajnerë në nivel të lartë ndërkombëtar.

Ai ka udhëhequr disa skuadra kosovare, ndërsa suksesin më të madh e ka arritur me Prishtinën.

Krasniqi do të fillojë punën zyrtarisht me orar të plotë në zyrë të FBK-së nga data 01.10.2020.