Arb Manaj rrëfehet për aventurën në Turqi: Puna e madhe shpërblehet, kam filluar të përshtatem këtu

Arb Manaj ka nisur të përshtatet me futbollin turk në mënyrën më të mirë të mundshme, derisa në fundjavën që lamë pas mori vëmendjen e të gjithëve duke realizuar dy gola për Ankara Keciörengücün në fitoren 6:0 ndaj Tepecik Sporit.

Futbollisti nga Klina pas një edicioni të suksesshëm me Trepçën’89 arriti të transferohet në klubin nga Ankaraja në verën që lamë pas.

Deri më tani, Manaj është paraqitur në pesë ndeshje në të gjitha garat me skuadrën turke, duke realizuar pesë gola dhe duke dhuruar dy asistime.

22-vjeçari në një bisedë me “Zeri.info” ka thënë se është duke punuar shumë në Turqi, derisa tregon se përkrahja e trajnerëve për të është e madhe.

“Gjithmonë puna e madhe shpërblehet, jam duke punuar shumë dhe kam përkrahjen e trajnerëve. Kështu që suksesi nuk mungon”, e nis bisedën Arb Manaj.

Sulmuesi klinas që njëherit luan për Kosovën U21 e ka komentuar edhe fitoren e fundit të skuadrës së tij ndaj Tepecik Sporit, duke thënë se ishte e nevojshme.

Image

“Ne vinim nga një barazim dhe na duhej fitorja shumë, normalisht që i kanë pritur mjaft mirë”, tregon më tej Manaj.

Me jetën në Turqi, futbollisti i talentuar thotë se ka nisur të përshtatet.

“Kam filluar të përshtatem mjaft mirë me jetën në Turqi”, theksoi ai.

Për fund, ish-futbollisti i Trepçës’89 dhe Dukagjinit tregon se gjuhën turke ende nuk e ka mësuar në nivelin më të mirë të mundshëm.

“Gjuhën ende nuk e kam mësuar, vetëm ndonjë fjalë”, përfundoi Arb Manaj për “Zeri.info”.