Apelon Genc Hoxha: Mos na lini vetëm

‘Krizë financiare’. Assesi të largohet ky term nga një ndër klubet më me renome në Kosovë, Vëllaznimi i Gjakovës.Me krizë financiare, klub ‘kuq e zi’ është përballur në vitet e fundit derisa as në këtë vit, nuk i ‘iku’ këtij termi.

Pak javë para nisjes së kampionatit, Komuna e Gjakovës bëri ‘rahmet’ me shtabin teknik dhe futbollistët gjakovar duke u ndarë një pjesë të borgjit, por jo në tërësi. Në një intervistë për Gaztën ‘Olle’, trajneri Genc Hoxha flet për shumë çështje që lidhen me klubin nga Rrafshi i Dukagjinit.

Olle: Trajner, le ta nisim me gjendjen financiare në klub…?

Hoxha: Po, gjendja financiare është përmirësuar në krahasim me të kaluarën. Siç e dini janë kryer edhe disa obligime, por kanë mbetur që të kryhen edhe disa të tjera.

Olle: Vëllaznimi është klub me traditë, pse po përballet në vazhdimësi me probleme të tilla?

Hoxha: Nuk e di pasi që nuk kam qenë krejt kohën nuk kam pjesë e klubit. Por, Vëllaznimi s’e meriton një tretman të tillë pasi që është një ndër klubet më të mëdha në Kosovë, meriton një tretman më të mirë që të jemi si dikur, e jo të ballafaqohemi me probleme të njëjta. Dihet kujt i takon përgjegjësi pra Komunës, e cila duhet të bëjë më shumë. Jemi klub publik dhe gjithmonë duhet ta kemi mbështetjen prej pushtetit aktual. Derisa nuk ndryshon diçka, klubi pret nga Komuna.

Olle: E nisët dobët kampionatin, me dy humbje…

Hoxha: Në dy takimet kemi pasur të bëjmë me dy klube të forta të cilat kanë sjell shumë lojtarë në radhët e veta. Ne jemi pa shtatë futbollistë nga edicioni i kaluar. Edhe pse kemi humbur, nuk kemi qenë indiferent. Kanë vendosur detajet. Tashmë jemi edhe më të vendosur dhe me punë mund të konsolidohemi.

Olle: Realisht a beson Genc Hoxha, se Vëllaznimi që ta sigurojë ekzistencën?

Hoxha: Do të jetë vështirë që të mbijetojmë dhe këtë e kemi ditur dhe e dimë. Por, asnjëherë nuk jemi dorëzuar. Me punë mund të arrijmë çdo gjë.

Olle: Ndeshjen e radhës e zhvilloni ndaj kampionit, Kosova e Vushtrrisë. Çka pritni nga ky takim?

Hoxha: Pres që lojtarët të jenë më të angazhuar. Objektivi kryesor ka me qenë fitorja.

Olle: Diçka për fund?

Hoxha: Presim edhe përkrahjen e ‘Kuqezinjve të Jakovës’, të cilët nuk na kanë lënë kurrë vetëm. Jam i bindur se as kësaj radhe nuk do të nja lënë vetëm.