Përzgjedhësi i Zvicrës, Murat Yakin , ka publikuar listën e plotë për Euro 2024, ku helvetët e nisin garën kundër Hungarisë me 15 qershor.
Yakin duhej të mbyllte listën përfundimtare për skuadrën e Kampionatit Evropian të premten pasdite.
Sulmuesi shqiptar, Andi Zeqiri është i fundit që largohet nga kampi zviceran. 24-vjeçari i KRC Genk do të jetë në gatishmëri nëse një lojtar i sulmit nuk është i disponueshëm.
“Andi na e bëri të vështirë vendimin. Së fundmi ai ka performuar shumë mirë. Ditët stërvitore në kamp treguan se konkurrenca është shumë e fortë edhe në sulm”, deklaroi Yakin.
Zvicra të udhëton drejt Gjermanisë me tre portierë, shtatë mbrojtës dhe 16 lojtarë të mesfushës dhe sulmit.
Granit Xhaka do të jetë kapiten, ndërsa nuk diskutohet as rekordmeni Xherdan Shaqiri. Me Zvicrën do të udhëtojë edhe shqiptari nga Kumanova, Ardon Jashari.
Uran Bislimi dhe Albian Hajdari u larguan më herët nga kampi i Zvicrës. /Telegrafi/