Ancelotti në mes të dy zjarreve

Carlo Ancelotti duhet ta fitojë një titull të rëndësishëm gjatë këtij sezoni, përndryshe do të shkarkohet nga posti i trajnerit të Real Madridit.

Carlo Ancelotti është nën presion të madh. Trajneri i Real Madridit ka përfunduar nën akuza pas humbjes së re në El Clasico kundër Barcelonës të dielën.

Skuadra e tij tani ka katër pikë më pak se lideri i La Ligës.

Dhe, sa vijnë e shtohen zërat për shkarkimin e Ancelottit ose largimin e tij nga posti në fund të këtij sezoni.

“Goal” shkruan se klubi i ka vendosur kusht Ancelottit që të sjellë një titull të rëndësishëm në Santiago Bernabeu, përndryshe do të shkarkohet nga detyra, një vit më herët se kur është e paraparë të skadojë kontrata e tij.

Reali është në garë në La Ligë ku ka katër pikë më pak se Barcelona, dhe është kualifikuar në çerekfinale të Ligës së Kampionëve ku do të luajë kundër Atletico Madridit.

Në vend të Ancelottit mund të emërohet trajneri i Real Madrid Castilla, Zinedine Zidane.