Ancelotti humb titullin, por…

Barazimi me Valencian ka minimizuar shanset e Realit për titullin, megjithatë Ancelotti përpiqet të mbajë moralin lart përpara një takimi tjetër të rëndësishëm siç është ai me me Juventusin në Champions.

“Situata është më e komplikuar, por detyra jonë është të fitojmë dy takimet e mbetura. Nëse luajmë ashtu si me Valencian, mund të arrijmë në finalen e Berlinit. Ndonjëherë loja e bukur nuk mjafton, megjithatë duhet të kemi besim për ndeshjen e të mërkurës me Juventusin”.

Si është situata për Benzema dhe përse Varane nuk luajti kundër Valencias?

“Besoj se Benzema do të jetë gati për të mërkurën. Ka një shqetësim të vogël, por që do t’i kalojë. Varane kishte temperaturë, ndihej pak i lodhur, por tani është mirë”.

Trajneri italian theksoi në fund se kjo ndeshje me Valencian, edhe pse nuk kishte rezultatin e dëshiruar, mund të shërbejë si stimulim për sfidën me Juventusin. Për Ancelottin, formula për suksesin në Bernabeu është që Los Blancos të luajnë me qetësi kur të presin bardhezinjtë.