Ancelotti: 9-1? Preferoj më shumë nëntë ndeshje nga 1-0

Fitorja 9-1 ndaj Granadas nuk kishte se si të mos linte të kënaqur trajnerin e Realit të Madridit, Carlo Ancelotti. Në konferencën për shtyp në përfundim të sfidës, numri 1 i stolit të “Los Blancos” theksoi se ky rezultat do t’i japë shtysën e duhur skuadrës për ta mbyllur në mënyrën më të mirë sezonin, edhe pse italiani e pranoi sa do ndërronte këtë fitore me dicka tjetër.

“Po, do ta ndërroja këtë rezultat me 9 fitore nga 1-0 në 9 sfidat e mbetura të La Ligas, pasi vetëm nëse triumfojmë në të gjitha ndeshjet mund të synojmë suksesin në kampionat. E rëndësishme në këtë sfidë ishte fitorja dhe e arritëm, rezultati i thellë është vetëm një plus që i ngre moralin skuadrës. Pauza e kombëtareve na ka ndihmuar shumë pasi kemi riaftësuar elementë të rëndësishëm dhe disa lojtarë kanë arritur gjendjen e tyre më të mirë fizike”.

Cristiano Ronaldo dhe James Rodriguez ishin dy nga shumë notat pozitive të Realit në përballjen ndaj Granadas. Portugezi arriti të realizonte plot 5 gola duke u ngjitur në kuotën e 36 finalizimeve në kampionat ndërsa mesfushori kolumbian zhvilloi një paraqitje të mirë edhe pse vinte në këtë sfidë pas një dëmtimi të gjatë. Një mendim i Ancelottit shkoi pikërisht për këta dy futbollistë.

“Cristiano është përmirësuar ashtu sic është përmirësuar edhe i gjithë ekipi. Cfarë mund të them më tepër për Ronaldon? Kjo ishte hera e parë që ai realizon 5 gola në një ndeshje me Realin dhe jam i lumtur për të. James? Ai zhvilloi një ndeshje shumë të mirë. Nuk u vu aspak re që kishte 2 muaj pa luajtur”.