Alvesi herë në Spanjë e herë në Francë

Herë në Barcelonë e herë në Paris. E ardhmja e Dani Alves është projektuar shpesh këto kohë mes Spanjës e Francës, por tashmë duket e sigurt se nuk do të jetë te Paris Saint Germain, të paktën nëse është 100% e vërtetë ajo ç’ka shkruan “L’Equipe” .

Sipas të përditshmes franceze, mbrojtësi i Barcelonës nuk figuron më në listën e merkatos së parizienëve, ndonëse brazilianit i skadon kontrata me blaugranat në fund të këtij sezoni. “L’Equipe” shkruan se Marquinhos mund të vendoset në krahun e djathtë të mbrojtjes, pozicion që aktualisht mbulohet nga by Gregory Van de Wiel dhe Serge Aurier.

Kontrata e Van de Wiel me Paris Saint Germain skadon në qershor 2016 dhe mes palëve kanë nisur diskutimet për një rinovim të mundshëm. Pengesë për momentin është çështja e pagës, pasi mbrojtësi holandez pretendon të paguhet më shumë nga shifra që i ofron klubi.

Veç tij në dispozicion për krahun e djathtë të mbrojtjes është edhe Serge Aurier, duke e nxjerrë kështu të panevojshëm transferimin e Dani Alves. Edhe pse është përfolur se agjentja e tij ka patur negociata në Paris me kampionët e Francës, Dani Alves ka lënë të nënkuptohet se opsion të parë ka qëndrimin te Barcelona, por për momentin nuk ka ende bisedime për një rinovim të mundshëm.